Kushtetuesja rrëzon 12 vendime të Kuvendit të kontestuara nga deputetët e PDK-së

16:03 | 9 Janar 2026
Q L

Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetuese 12 ligje të miratura në Kuvend, nga shumica parlamentare e Qeverisë Kurti, gjatë legjislaturës së kaluar. Ndërsa vetëm 3 prej tyre, nga 15 për të cilat ishte ankuar PDK-ja në Gjykatatë Kushtetuese, i ka lënë në fuqi në fuqi, duke kaluar kështu testin e kushtetutshmërisë.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Gjykata me 5 vota për, dy kundër, ka konstatuar se 12 vendime të Kuvendit, përmes të cilave ishin miratuar ligje të Qeverisë Kurti, nuk janë në përputhshmëri me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetues së Kosovës. Ndërkohë, 3 ligjet tjera, ai për Bankat, Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Gjykatën Administrative janë vlerësuar kushtetuese.

Ndërkohë ka shfuqizuar:

Ligjin për Shërbimet e Pagesave

Ligjin kundër dukurive negative në sport

Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit

Ligjin për provimin e maturës shtetërore

Ligjin për Banim Social dhe të Përballueshëm

Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditi

Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale

Ligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore

Ligjin për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore

Ligjin për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore)

Ligjin për Lojërat Mesdhetare.

Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi gjatë miratimit të 12 ligjeve antikushtetuese, të gjitha të hartuara nga Qeveria Kurti sipas zotimeve dhe programit të saj politik, shkeli nenin kushtetues që rregullon formën e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit në vend; atë që përcakton vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës; nenin që rregullon ushtrimi i funksionit të të zgjedhurve të popullit; atë që rregullon funksionimin e Kuvendit sipas rregulloreve të punës; dhe nenin e Kushtetutës që rregullon dhe përcakton rolin e komisioneve parlamentare në Kuvend.