Kush janë kandidatët për kryeministër?- Kjo është biografia e tyre

22:12 | 13 Janar 2021

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 janë tre kandidatë për kryeministër të Kosovës.

Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, shkruan Arbresh.info.

Por, kush janë këta kandidatë për kryeministra që kërkojë votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës?

Albin Kurti, i diplomuar për Telekomunikacion dhe Kompjuteristikë në Universitetin e Prishtinës. Ish-kryeministër dhe Kryetar i “Vetëvendosjes!”. Ish-lider studentor.

Avdullah Hoti, me magjistraturë dhe doktoraturë për ekonomi në Universitetin Staffordshire në Britani e Madhe. Kryeministër (ud), ish-zv.kryeministër, ish-ministër i Financave.

Enver Hoxhaj, doktor shkencash në Histori dhe Filozofi në Universitetin e Vjenës. Ish-zv.kryeministër, ish-ministër i Jashtëm dhe ish-ministër i Arsimit.

Nga të tre këta kanidatë Avdullah Hoti është më i riu me moshë.

Albin Kurti-  I lindur më 24 Mars të vitit 1975 në Prishtinë

Avdullah Hoti- I lindur në vitin 1976, në një fshat në afërsi të Rahovecit

Enver Hoxhaj: I lindur në vitin 1969 në Suharekë

 

Kjo është biografia e Albin Kurtit.

Albin Kurti është lindur më 24 Mars të vitit 1975 në Prishtinë. Shkollën fillore (1981-1989) dhe shkollën e mesme (1989-1993) përfundoi në Prishtinë me rezultate shembullore. Në vitin akademik 1993/94, Albin Kurti, filloi studimet dhe i kreu ato pranë Fakultetit të Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës…

Në Gusht të vitit 1997, Albin hyri në Unionin e Pavarur të studentëve të Universitetit të Prishtinës si anëtar i kryesisë së Unionit me detyrë për marrëdhëniet me jashtë. Albini ishte gjithashtu njëri ndër organizatorët e protestave paqësore të studentëve të UP për lirimin e objekteve shkollore, të cilët mbaheshin nga profesorët dhe studentët serbë. Albini së bashku me kryesinë e UPSUP organizuan protesta paqësore të studentëve më 1 tetor 1997, 29 tetor 1999, 30 dhjetor 1997 dhe 13 mars 1998.

Gjatë kësaj kohe ishte ftuar në disa takime në Uashington DC, New York, Burksel, Kopenhagë dhe në Parlamentin Evropian në Strasburg me qëllim informimin e komunitetit botërorë rreth kërkesës së ARSYESHME të studentëve. Albini, gjithashtu është takuar edhe me personalitete të larta të politikës së jashtme botërore si Robin Cook (ish-ministër i jashtëm i Britanisë se Madhe), Kluas Kinkel (ish-ministër i jashtëm i Gjermanisë), Huber Vedrine (ministër i jashtëm i Francës), Rober Gelbard (ish-përfaqësues special i Presidenti Klinton për Ballkanin) dhe me ambasadorët dhe përfaqësuesit e ambasadave të vendeve perëndimore të cilët ishin të akredituara në Beograd. Në Gusht të vitit 1998, Albini filloi te punojë në zyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçit, ku shërbente si përkthyes.

Në fillim të Marsit të vitit 1999, Albini ndërpreu të gjitha aktivitetet në UPSUP dhe pranë zyrës së Përfaqësuesit politik të UÇK-së për të vazhduar studimet e tij në universitet. Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s, Albini mbeti (qëndroi) në Prishtinë, kur policia serbe e arrestoi atë me 27 prill 1999 dhe deri me 1 Maj është mbajtur në burgun e Prishtinës. Më 2 Maj është transferuar në burgun e Lipjanit ku ai qëndroi deri më 10 qershor. Gjatë kësaj kohe është torturuar barbarisht. Albini është akuzuar për takimin me Richard Holbrooke (ku në fakt, Albin kurrë nuk e ka takuar) dhe takimin me Christopher Hill. Më 10 qershor, Albini dhe shumë shqiptarë të tjerë të burgosur janë transferuar nga burgu i Lypjanit (Kosovë) në burgjet serbe.

Më 12 Qershor Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq informon që Albini mbahet në burgun e Pozharevacit. Në Gjykatën e Qarkut në Nish, e cila e ka marrë kompetencën e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, ishte mbajtur gjykimi kundër Albin Kurtit, njërit prej udhëheqësve të studentëve shqiptarë, i cili ishte burgosur më 27 prill të vitit 1999, në Prishtinë.

Albin Kurti me tre shkurt 2020 u zgjodh kryeministër i Kosovës e dy muaj më pas u rrëzua me 25.03.2020.

 

Kjo është biografia e Avdullah Hotit?

Avdullah Hoti është bërë kryeministri i tetë që nga mbarimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999.

I lindur në vitin 1976, në një fshat në afërsi të Rahovecit, Hoti ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

Studimet e Magjistraturës dhe të Doktoratës për ekonomi i ka kryer mes viteve 2001 dhe 2007, në Staffordshire University në Britani të Madhe.

Që nga viti 1998 ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, njëherë si asistent dhe nga viti 2012 si profesor në drejtimet bachelor, master dhe doktoraturë.

Në vitet 2010-2013 ka qenë nënkryetar i Komunës së Prishtinës, derisa kryetar ishte Isa Mustafa.

Në vitin 2014, Hoti është zgjedhur për herë të parë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ai e ka lënë postin e deputetit dhe është bërë ministër i Financave në Qeverinë e udhëhequr nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe miku i tij më i afërt brenda kësaj partie, Isa Mustafa.

Në vitin 2017, ai ka qenë i nominuar për kryeministër në listën zgjedhore, por LDK-ja nuk i ka fituar zgjedhjet dhe partia e tij ka shkuar në opozitë.

Në zgjedhjet e vitit 2019, partia e tij ka dalë e dyta dhe ai ishte personi i dymbëdhjetë më i votuar në zgjedhje.

Për më pak se dy muaj, Hoti ka shërbyer si zëvendëskryeministër në qeverinë e Albin Kurtit.

Ai është shkarkuar nga Kurti, kur partia e Hotit ka udhëhequr me sukses mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë, pas 51 ditësh në pushtet.

Hoti është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Më 3 qershor, 2020, Hoti është zgjedhur kryeministër me 61 vota në Kuvendin e Kosovës që ka 120 deputetë.

Kjo është biografia e Enver Hoxhajt.

Enver Hoxhaj është një nga politikanët më aktivë të Kosovës në dhjetë vjetët e fundit. Ka ushtruar detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme fillimisht nga viti (2011-2014) dhe më pas nga muaji Maj i vitit 2016 deri më 2 Gusht, 2017, duke luajtur një rol qendror në konsolidimin dhe fuqizimin e diplomacisë bilaterale dhe multilaterale të Kosovës.

Enver Hoxhaj, në qeverinë Haradinaj ka shërbyer si zëvendëskryeministër, duke përfaqësuar PDK-në, në qeveri.

Njeherit ka qenë edhe pjesë e delegacionit të Kosovës për bisedimet Kosovë-Serbi.

Në të kaluarën Hoxhaj ka shërbyer si ministër i Arsimit (2008-2011), ku është angazhuar në modernizimin e arsimit pas pavarësimit të vendit, si dhe ka shërbyer si deputet në katër legjislatura, ndërsa së fundi ishte kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme (2014-2016).

Hoxhaj ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës në bisedimet për statusin final të Kosovës (2005-2007), të udhëhequra nga i dërguari i Posaçëm i OKB-së, Presidenti, Martti Ahtisaari, Enver Hoxhaj ishte pjesë e delegacionit kosovar në të gjitha takimet. Dokumenti i Ahtisaarit rezultoi me propozimin gjithëpërfshirës për pavarësinë e Kosovës.

Hoxhaj ka mbaruar studimet e doktoraturës për histori dhe politikë në Universitetin e Vjenës, duke ndjekur ligjërata në drejtimet e shkencave të historisë dhe politikes. Pas hulumtimeve të gjata nga viti 1994-2000 në Universitetin e Vjenës, Berlinit, Munihut, Romës, Bolonjës, Firences dhe Parisit, mbrojti me sukses temën e doktoraturës.

Gjatë qëndrimit të tij në Austri, ka qenë bashkëpunëtor shkencor i Universitetit të Vjenës dhe udhëheqës i ekipit hulumtues për Ballkanin në Ludëig Boltzmann Institut für Menschenrechte (1996-2000). Gjatë viteve 2003-2004 ka qenë bashkëpunëtor shkencor (felloë) në London School of Economics –Center for Study of the Global Governance.

Ai, ka botuar punime shkencore në gjuhën angleze, gjermane dhe shqipe për çështje të etnicitetit, nacionalizmit, identitetit dhe të konflikteve etnike.

Gjithashtu, ka mbajtur ligjërata të ndryshme në shumë universitete të botës, si në University of Oxford, University College of London, Johns Hopkins University, Columbia University etj.

Flet dhe shkruan rrjedhshëm gjuhën angleze, gjermane dhe serbo-kroatishte. Jeton në Prishtinë, me gruan Remzie, djalin Liri dhe vajzën Lea./Arbresh.info/

 

 

 

 

 

Lajmet më të lexuara