Kusari-Lila viziton zonat e prekura nga vërshimet në Gjakovë: Nevojiten masa urgjente dhe zgjidhje afatgjata

19:00 | 7 Janar 2026
E.H

Situata pas vërshimeve në disa komuna të Kosovës mbetet nën kontroll, por e rënduar, ka bërë të ditur kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila pas vizitës në zonat e prekura në Gjakovë.

Kusari-Lila, së bashku me bashkëpunëtorë nga Alternativa, ka vizituar disa lokacione me dëmet më të mëdha, përfshirë Impiantin e ujërave të ndotura të KRU “Gjakova”, lagjen Dardania–Piskotë, Brekocin si dhe rrugët “Bujar Roka” dhe “Bekim Fehmiu”, ku lumenjtë Erenik dhe Llukac dolën nga shtrati.

Ajo bëri të ditur se numri i familjeve të prekura është shumë i madh dhe pothuajse çdo lagje pranë lumenjve është vërshuar. Kusari-Lila vizitoi edhe disa familje të evakuuara, duke theksuar se përveç strehimit të përkohshëm, ato kanë nevojë për zgjidhje afatgjata mbrojtëse.

Sipas saj, dëmet materiale janë të konsiderueshme, disa ura janë dëmtuar rëndë, ndërsa krahas reshjeve, vërehet edhe ndikimi i faktorit njerëzor, përfshirë mungesën e mirëmbajtjes së shtretërve të lumenjve, ndërtimet pa leje dhe mbeturinat inerte.

“Kjo situatë kërkon reagim të menjëhershëm dhe përgjegjësi të plotë institucionale. Përtej menaxhimit të emergjencës, janë të domosdoshme masa serioze parandaluese, planifikim afatgjatë, investime të qëndrueshme dhe zbatim i rreptë i ligjit”, ka theksuar Kusari-Lila.

Ajo shtoi se ndërhyrja e shpejtë për sanimin e pasojave dhe mbështetja direkte për familjet e prekura duhet të jenë prioritet absolut në ditët në vijim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale