Kusari-Lila nis procedurat për Projektligjin e çmimeve tavan: Shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik

11:33 | 20 Shkurt 2026
E.K

Pas miratimit të agjendës legjislative në mbledhjen e Qeverisë, Ministrja e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka njoftuar se ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për çmimet tavan.

Sipas Kusarit, ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitetin në treg. Ajo theksoi se në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të sigurojë balancën mes tregut të lirë dhe interesit publik.

Postimi i plotë:

Pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projektligji dhe premtimin e Kryeministrit Kurti për miratimin e tij që në fillim të mandatit të ri, sot nënshkrova incimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan). Ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg.

Ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me:
– rritje të papritura të çmimeve
– mungesë të produkteve themelore
– çrregullime në furnizim

Qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize. Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik.

Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide.

Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik./Arbresh.info