Kurti viziton QKUK-në: Buxheti për shëndetësi këtë vit është për 50% më i lartë

12:31 | 12 Gusht 2023
Diellza Gashi

Kryeministri Albin Kurti sot ka vizituar Klinikën e Onkologjisë në QKUK dhe ka njoftuar se është funksionalizuar akseleratori i gjeneratës së fundit, tre muaj më herët se që ishte planifikuar.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka njoftuar se deri në fund të këtij viti do të investohen mbi 2.1 milionë euro, shkruan Arbresh.info.

Tutje, kreu ekzekutiv ka deklaruar se buxheti për shëndetësi këtë vit është për 50% më i lartë.

“Në këtë klinikë deri në fund të këtij viti po investohen mbi 2.1 milionë euro. Buxheti për shëndetësi këtë vit është për 50% më i lartë. Vizita e përbashkët sot me ministrin e Shëndetësisë, ishte vizitë për t’i përgëzuar, për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tonë për mjekët, infermierët dhe fizikantët, por njëkohësisht për të dhënë zotimin tonë për mbështetje të mëtejme”, ka shkruar Kurti.

Kurti vizitën e bëri bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale