Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, paraditen e sotme qëndruan për vizitë te familja e veprimtarit dhe ish- deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ali Lajҫit, i cili vdiq me 28 prill të këtij viti.
I lindur më 3 janar të vitit 1955 në Malaj të Rugovës, Ali Lajҫi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij. Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007, dhe pastaj deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai ishte edhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.


Kryeministri Kurti, e vlerësoi lartë figurën e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryetarit të Komunës së Pejës, Ali Lajҫi, duke e cilësuar atë si një veprimtar dhe aktivist të shquar të çështjes kombëtare, teksa shtoi se do ta kujtojnë gjithmonë me krenari për veprimtarinë, kontributin dhe angazhimin e tij patriotik dhe politik për vendin. Ai shprehu ngushëllimet e tij më të sinqerta familjes Lajçi, dhe theksoi se janë mirënjohës për gjithë punën dhe përkushtimin e Ali Lajçit ndaj atdheut, shtetit dhe shoqërisë.
Në këtë vizitë për ngushëllime, së bashku me kryeministrin Kurti, ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveҫla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, si dhe deputetë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Kurti gjithashtu bëri homazhe në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, pranë arkivolit të ish- deputetit të Kuvendit të Kosovës, dhe ish- kryetarit të Pejës, Ali Lajçi, dhe mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së tij./Arbresh.info/

Çmimi i arit thyen rekord historik, kapërcen për herë të par...
Hamza takon Malajn, flasin për forcimin e lidhjeve kombëtare...
Edi Rama takohet me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu
Rreth 90 të lënduar kur rrufeja ra pranë një tubimi në mbësh...
KQZ ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale...
Zgjerim hetimesh për zgjedhjet e 12 tetorit kërkojnë 33 ish-...