Kurti vendos gurthemelin e zgjerimit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, projekt në vlerë mbi 5.7 milionë euro

12:30 | 18 Mars 2026
E.K

ryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Sportit, Blerim Gashani, anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka, dhe kryemjeshtrin e xhudos, Driton Kuka, vunë gurthemelin e projektit në vlerë më shumë se 5.7 milionë euro për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, në Pejë.

“Sot, këtu në Pejë, në lagjen e kampionëve të botës, nuk po vendosim vetëm gurthemel. Sot, po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës”, theksoi kryeministri Kurti, duke shtuar se xhudoja është suksesi më i madh që Kosova ka ndërtuar si shtet në sport.

Kryeministri Kurti tha se një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në Paris 2024 është ndërtuar në këtë qendër, që ishte përuruar në shtator të vitit 2021.

“Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt, përfshin: palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare; dhe, objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se investimet në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, përfshirë këtë projekt në vlerë më shumë se 5.7 milionë euro, janë përgjigje ndaj sukseseve dhe rezultateve që xhudoja i ka sjellë Kosovës.

Në palestrën e re, në kuadër të Qendrës Nacionale të Xhudos do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030.

Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, falënderoi kryeministrin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për këtë investim që u jep të rinjve mundësi për zhvillimin tyre dhe promovimin e vendit. Ndërsa, evokoi kujtime nga koha e okupimit kur në një palestër të vogël private nisi rrugëtimi i vështirë drejt lavdisë dhe medaljeve olimpike.

Krahas falënderimeve e mirënjohjes, kryemjeshtri i xhudos, trajneri Driton Kuka, drejtuar sportistëve tha se “shteti tash po investon shumë seriozisht në ju, e ju duhet t’ia ktheni me punë, përkushtim e rezultate”.

Me këtë rast, kryeministri Kurti përshëndeti sportistët nga Ukraina, të cilët po stërviten në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë. Ata e falënderuan kryeministrin Kurti dhe Kosovën për mbështetjen dhe mikpritjen, duke thënë se po ndihen të sigurt dhe sikur në shtëpi./arbresh.info