Kurti tregon pesë vendimet e para nëse merr mandatin e tretë

22:05 | 27 Dhjetor 2025
Q L

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti është i ftuar sonte në Radio Televizionin e Kosovës ku ka prezantuar pesë vendimet e para që planifikon t’i marrë nëse merr mandatin e tretë.

“Jam në muajin e dhjetë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar. Votimi do të bëhet menjëherë në mbledhje të Qeverisë, pastaj në Kuvend, në dy lexime, për buxhetin që do të arrijë 4 miliardë euro. Buxhetin në vitin 2021 e kam gjetur nga pararendësi im, Avdullah Hoti, ndërsa ministër i Financave atëherë ka qenë Hykmete Bajrami. Ata na kanë lënë një buxhet prej 2.4 miliardë eurosh. Sivjet, buxheti ishte 3.6 miliardë, ndërsa vitin e ardhshëm do të arrijë 4 miliardë. Pse ka ndodhur kjo? Sepse është rritur ekonomia. Produkti i Brendshëm Bruto e kemi gjetur 7 miliardë euro, sivjet është 11 miliardë, ndërsa vitin e ardhshëm pritet të arrijë 12 miliardë. Qarkullimi i bizneseve është dyfishuar”, theksoi Kurti.

Kurti njoftoi se vendimi i dytë që do të merret në mbledhjen e parë të qeverisë në mandatin e tretë lidhet me vendosjen e çmimeve tavan, në mënyrë që shporta e konsumatorit të jetë e përballueshme.

Ai theksoi rëndësinë që të mos abuzohet me çmimet dhe përmendi se janë kaluar dy vite e një muaj që kur Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë Ligjin për Çmimet Tavan.

“Qeveria duhet të mundësojë përdorimin e buxhetit në mënyrë efikase, pa ndërhyrje nga Gjykata Kushtetuese, dhe të sigurojë që shporta e konsumatorit të jetë e përballueshme,” tha ai.

Kurti foli edhe për ndryshimin e ligjit që heq kufizimin e punësimit për veteranët e UÇK-së që marrin beneficione. Ai deklaroi se qeveria do të shqyrtojë komplet dosjen dhe do të marrë vendim për ecjen përpara.

“Meqenëse gjykata ka marrë vendimin e saj, tani mund të ecim përpara pa ndërhyrje në procesin gjyqësor, duke mundësuar që veteranët të zgjedhin mes punësimit dhe beneficionit, ose të dyja njëherësh. Lirinë që kemi e kemi falë dëshmorëve, martirëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së. Investimet te Ushtria e Kosovës, nën komandën e Bashkim Jasharit, janë të papara dhe të paimagjinueshme. UÇK mbrohet më së miri me një ushtri të fortë”, tha ai.

Kurti tha se, me të kryeministër, punëtorëve në sektorin publik do t’u jepet paga e 13-të.

“Buxheti i përgjithshëm për pagat në sektorin publik, në administratën shtetërore në veçanti, është rritur për 47 për qind. Ky 47 për qind është një shifër e madhe, por përmban edhe një aspekt të veçantë dhe të vlefshëm: raporti midis pagës më të lartë dhe asaj më të ulët ka qenë 20 me 1. Ka pasur paga 241 euro dhe mbi 4,800 euro. Hapi i radhës që duam të ndërmarrim është që të gjithë ata që punojnë 12 muaj të marrin pagën e 13-të. Paga e 13-të do të mund të merret në fillim të vitit, jo në fund”, theksoi ai.

Miratimi i pakos për përballje me inflacionin në vlerë prej 200 milion euro, sipas Kurtit, synohet të jetë vendimi i radhës në mbledhjen e parë të qeverisë, nëse do të formohet Qeveria Kurti 3.
“Me këtë mbështetje financiare, pensionistët do të kenë marrë gjashtë mbështetje të njëhershme brenda më pak se pesë vjetëve. Kjo do të thotë se, efektivisht, për më pak se pesë vite, ata kanë marrë gjashtë herë pensionin e 13-të,” theksoi ai.