Kurti takoi ministrin estonez të Punëve të Jashtme, u theksua ngjashmëritë e përvojave historike të të dy vendeve

16:59 | 18 Nëntor 2022
E.H

Pas takimit me homologen e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një drekë pune me ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu.

Duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet dy vendeve, gjatë bisedës u theksuan ngjashmëritë e përvojave historike dhe situatave gjeostrategjike të Kosovës dhe Estonisë.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Reinsalu për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës në politikën e jashtme.

“Kosova mund të mësojë nga modeli estonez në avancimin e synimeve të saja për integrim Euro-Atlantik sikurse edhe në fuqizimin e institucioneve shtetërore nëpërmjet një reforme cilësore të administratës publike”, u shpreh kryeministri.

Republika e Kosovës dhe Republika e Estonisë ndajnë qëndrime të njëjta sa i përket agresionit të pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe pajtohen për nevojën për mbështetje të shtuar ndaj Ukrainës.

U potencua gjithashtu nevoja për forcimin e aleancave ndërmjet shteteve demokratike dhe paqedashëse karshi atyre autokratike dhe agresive.

Në këtë kontekst, kryeministri Kurti veçoi rëndësinë e ndërlidhjes së vlerave demokratike dhe evropiane me interesat ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare.

Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadorja jo rezidente e Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi, zëvendëskryeministrja, Emilija Redzepi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu.​/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale