Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën “Gratë në Biznes – She Rises 2026”, të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ku theksoi rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave dhe rolin e tyre në zhvillimin e vendit.
Në fjalën e tij, Kurti vlerësoi progresin e grave në politikë dhe biznes, duke theksuar se çdo biznes i udhëhequr nga gratë, çdo vend pune i krijuar dhe çdo sfidë e tejkaluar kontribuon në ndërtimin e një ekonomie më të fortë dhe më të qëndrueshme.
“Është e domosdoshme që suksesin që po e shohim në sferën politike ta shohim me të njëjtën dinamikë edhe në ekonomi, në ndërmarrësi dhe në pronësi të bizneseve. Një grua ekonomikisht e pavarur është shtyllë e një familjeje të fortë, e një shoqërie përparimtare dhe e një ekonomie të zhvilluar”, deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë bëri të ditur se përmes skemave të ndryshme mbështetëse janë përkrahur gjithsej 732 biznese, prej të cilave 176 me pronësi ose bashkëpronësi të grave. Ai përmendi gjithashtu mbështetjen për sektorët e inovacionit, digjitalizimit, artizanatit, industrive kreative dhe teknologjisë së informacionit.
Sipas Kurtit, gjatë vitit 2026 do të vazhdohet me zgjerimin e mbështetjes për gratë ndërmarrëse, përfshirë themelimin e Divizionit për Gratë Ndërmarrëse dhe nisjen e programit “Superpuna për Gratë”, i cili do të garantojë pagën minimale për gjashtë muaj për gratë që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës.
Ai njoftoi gjithashtu investime prej 200 milionë eurosh në industritë kreative dhe rreth 30 milionë euro në vit për zhvillimin e parqeve industriale dhe teknologjike.
Duke iu drejtuar grave ndërmarrëse, Kurti tha se sfida kryesore për ekonominë e Kosovës mbetet fuqia punëtore e kualifikuar, ndërsa nënvizoi se Qeveria do të vazhdojë të investojë në aftësimin profesional dhe krijimin e mundësive të reja për punësim.
“Suksesi juaj është sukses i Kosovës. Çdo biznes i udhëhequr nga një grua, çdo vend pune i krijuar dhe çdo produkt që depërton në tregjet ndërkombëtare e bën shtetin tonë më të fortë, më të mirënjohur dhe më të zhvilluar”, përfundoi Kurti.
Konferenca “She Rises 2026” mblodhi gra ndërmarrëse, përfaqësues institucionesh dhe partnerë ndërkombëtarë, me synim promovimin e rolit të grave në ekonomi dhe forcimin e ndërmarrësisë në Kosovë.

Policia dhe EULEX-i në Jabukë të Zubin Potokut
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...