Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Presidentin e Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos dhe Sekretarin e Përgjithshëm të këtij komiteti, Raffaele Pagnozzi.
Presidenti Capralos përgëzoi Kryeministrin Kurti për arritjet e Republikës së Kosovës në sport, përcjell Arbresh.info.
Ai tha se kjo vizitë e tij e parë në Kosovë vjen pas suksesit të arritur në fitoren e kandidaturës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për organizimin e këtyre lojërave, që janë ngjarja më e madhe sportive e mbajtur ndonjëherë në Republikën tonë.
Ai shprehu mirënjohjen e përzemërt për të gjithë që kanë mbështetur vizionin e Kosovës, krahas punës së palodhur të Qeverisë dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.
Duke folur për përgatitjet e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, Kryeministri Kurti falënderoi gjithashtu edhe presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili i dha theks të veçantë rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet dy komiteteve shtetërore drejt frymës së unitetit që kapërcen kufijtë përmes sportit.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës falënderoi Komitetin Olimpik të Evropës për mbështetjen e dhënë ndaj KOK-ut dhe për përfshirjen e përfaqësuesve të KOK në komisione të ndryshme punuese në kuadër të KOE-së, duke e konsideruar Kosovën si partnere e përhershme e strukturës sportive ndërkombëtare.
“U vlerësua lart organizimi i Kampionatit Evropian të Xhudos, “European Championships Open”. U tha se ky organizim i ngjarjes më të madhe të sportit të xhudos organizuar ndonjëherë në Kosovë, dëshmon nivelin e seriozitetit dhe profesionalizimit të Kosovës si nikoqire e organizimeve të këtij niveli. U përgëzua për organizimin Federata e Xhudos së Kosovës mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata Evropiane e Xhudos.”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Prezentë në këtë takim ishin edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti dhe Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima./Arbresh.info/

Shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”, të gjithë të akuzuarit lir...
Fillon seanca dëgjimore ndaj këngëtarit Besart Kelmendi “Gje...
Ndalohet një person në Gjilan, dyshohet për transport ilegal...
27 vjet nga masakra në tregun e Mitrovicës
Arrestohet një burrë për nxitje të përçarjes, dyshohet se pë...
DW: Serbia importuesja kryesore e armëve në Ballkanin Perënd...