Kurti premton investim në Trepçë bashkë me një korporatë ndërkombëtare

22:21 | 19 Dhjetor 2025
Q L

Lëvizja Vetëvendosje ka shpalosur programin e saj edhe në Vushtrri. Kandidati për kryeministër Albin Kurti, është zotuar për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e vendit.

Kurti theksoi se ekonomia për herë të parë, për kokë banori, do ta kalojë vlerën e 10 mijë eurove, derisa premtoi rritje të pensioneve, mbështetje për gratë dhe përkrahje prej 1 miliard eurosh për prodhuesit vendorë. Ai foli edhe për një bashkë-investim me një korporatë ndërkombëtare në minierën e Trepçës.

Para simpatizantëve të këtij subjekti politik në Vushtrri, Kurti deklaroi se ky qytet ka vendosur gjithmonë kur qenë në pyetje çështja kombëtare, teksa ka theksuar se nën qeverisjen e tij është bërë trefishimi i pagës minimale.

“Me 1 janar paga minimale bëhet 425 euro e më 1 korrik të vitit të ardhshëm bëhet 500 euro. Pra trefishim i pagës minimale për vetëm një mandat, e më shumë se 10 vite ka qenë e pandryshuar nga qeveritë e mëhershme. Edhe pagat në sektorin publik kanë shënuar rritje të gjithmbarshme. 47 për qind janë rritur pagat në sektorin publik, janë rritur pagat është zvogëluar pabarazia”, deklaroi Kurti.

Kurti po ashtu u zotua se me qeverisjen e tij, pensionet do të vazhdojnë të rriten së bashku me rritjen ekonomike, duke premtuar edhe mbështetje për gratë dhe përkrahje prej 1 miliard eurosh për prodhuesit vendor.

“Krejt biznesmenët, krejt punëdhënësit, firmat private që marrin në punë gra, do t’ua japim 6 muaj nga 500 euro, 3 mijë euro gjithsej , në mënyrë që gratë të bëhen aktive dhe të hyjnë në tregun e punës me paga te dinjitetshme”, shtoi ai.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, mes tjerash u zotua se do të investojnë dhe bashkë-investojnë me një korporatë ndërkombëtare në sektorin minerar në minierën e Trepçës./rtk