Kurti për Masakrën e Bukoshit: Policia serbe pushkatoi 25 burra e djem veç pse ishin shqiptarë

12:48 | 3 Maj 2023
A Z

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Bukoshit.

Ai tha se në këtë ditë, 24 vjet më parë, oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjakun e 25 burrave e djemve të rinj shqiptarë, të cilët u pushkatuan nga forcat policore të Serbisë vetëm pse ishin shqiptarë.

Postimi i plotë:

Më 3 maj 1999 oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak. 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan. Forcat policore të Serbisë i vranë ata, vetëm pse ishin shqiptarë.
I ekzekutuan pasi i ndanë nga kolona e banorëve të fshatrave të Suharekës, që i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Dëbimi, vrasja dhe zhdukja me forcë e shqiptarëve ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.
Kriminelët e luftës duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.
Republika e Kosovës nuk mund të falë e as të harrojë.
Në përvjetorin e 24-të, përkujtojmë martirët e Masakrës së Bukoshit. Lavdi./Arbresh.info/