Kurti pas takimit me Lajçakun: Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

17:03 | 6 Shkurt 2023
E.H

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit që ka pasur me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti shtoi se diskutimi i mëtejshëm është një bazë e mirë dhe sipas tij është një platformë solide për të ecur përpara.

“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti.

Kurti thotë se ka pyetje të rëndësishme rreth këtij plani e të cilat do t’i adresojë në Bruksel.

“Pyetje të rëndësishme mbi garancën ndërkombëtare, mekanizmat zbatues dhe periudhën kohore do të adresohen së shpejti në bisedimet në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit evropian na japin shpresë”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak pas takimit me kryeministrin para mediave tha se arsyeja e ardhjes së tij në Kosovë është çështja e planit evropian si dhe Asociacioni.

I pyetur për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ai tha se tashmë është e ditur se gjithçka që është nënshkruar, duhet të zbatohet./arbresh.info/

Lexo edhe:

Lajçak për Asociacionin: Gjithçka që është nënshkruar, duhet të zbatohet

Shpërndaje në rrjete sociale