Kurti në Tryezën e Dialogut Ndërfetar: Bashkëjetesa, vlerë themelore e shoqërisë kosovare

10:59 | 16 Prill 2026
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Tryezën e Dialogut Ndërfetar me temën “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?”.

Në këtë ngjarje u diskutua mbi rëndësinë e dialogut ndërfetar, bashkëjetesës si dhe rolin e institucioneve dhe komuniteteve fetare në forcimin e mirëkuptimit shoqëror në Kosovë.

Me këtë rast, Kurti theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit në përballje me sfidat globale, duke nënvizuar gjithashtu rolin e lirisë qytetare dhe trashëgimisë kulturore e fetare në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara vitet e fundit, si rezultat i pandemisë globale, konflikteve të përgjakshme, problemeve mjedisore dhe krizave energjetike dhe ekonomike, po bëhemi gjithnjë e më të vetëdijshëm e më të përgjegjshëm për rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëndërtimit ndërmjet vendeve dhe institucioneve në adresimin e sfidave shoqërore në këto kohëra të ndryshimeve të mëdha globale. Liria qytetare, padyshim që mbetet një nga të drejtat themelore universale të njerëzve, si bazë e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse, që gjithnjë do të na ndihmojë që të tejkalojmë vështirësi shoqërore dhe shtetërore. Në këtë kohë edhe trashëgimia kulturore dhe fetare përfaqësojnë një pasuri të përbashkët që i shërben komunitetit, forcon identitetin dhe ndihmon mirëkuptimin e ndërsjellë. Prandaj, politika jonë synon që ta mbrojë trashëgiminë kulturore dhe ta bëjmë atë në shërbim të paqes, bashkëjetesës dhe zhvillimit shoqëror, gjithnjë duke respektuar e zbatuar liritë qytetare si të drejtë elementare njerëzore. Në Kosovë, bashkëjetesa ndërfetare nuk është vetëm një aspiratë moderne, por edhe traditë historike e ndërtuar ndër shekuj mbi respektin dhe bashkëjetesën. Ajo mbetet një vlerë themelore e shoqërisë sonë e cila ka kontribuar në ruajtjen e kohezionit dhe të stabilitetit, duke dëshmuar që diversiteti apo ngjyrshmëria nuk është burim ndarjeje, por pasuri e përbashkët që duhet ruajtur dhe kultivuar për brezat e sotëm”, tha ai./Arbresh.info/