Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit: Mos të harrojmë kurrë, por edhe kurrë më

21:15 | 2 Shkurt 2023

Me ftesë të Ambasadës së Izraelit në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

I nderuar me ftesën, Kurti tha se jemi mbledhur këtu, në shenjë të një miqësie të re ndërmjet dy vendeve tona dy vite pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të kujtojmë së bashku Holokaustin – një prej episodeve më të errët të historisë së njerëzimit, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit.

“Teksa mblidhemi këtu sot për të përkujtuar viktimat e Holokaustit, le të kujtojmë të kaluarën, me një sy nga e ardhmja. Mënyra më mirë për të nderuar kujtimin e tyre nuk është vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes veprave tona. Me pak fjalë, mos të harrojmë kurrë, por edhe kurrë më”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve, transmeton arbresh.info.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

E nderuara Ambasadore, znj. Tamar Ziv,

E nderuara ish-Presidente, znj. Atifete Jahjaga,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,

Të nderuar deputetë dhe ministra të Qeverisë,

Të nderuar kryetarë komunash,

I nderuari Kryetar i Komunitetit Hebraik të Kosovës, z. Votim Demiri,

Të nderuar të ftuar, partnerë dhe miq,

Zonja dhe zotërinj,

Është nder i madh të jem me ju sot këtu, në ceremoninë e parë zyrtare të përkujtimit të Holokaustit në Kosovë. Dhe është veçanërisht e përshtatshme që kjo ngjarje të mbahet këtë javë, me rastin e festimit të dyvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Si shenjë e miqësisë së re midis dy kombeve tona, ne jemi mbledhur këtu për të kujtuar së bashku Holokaustin – një nga episodet më të errëta të historisë njerëzore, por edhe episodin që sfidon mirëkuptimin njerëzor.

Ne nuk mund të kërkojmë të kuptojmë diçka që në fund të fundit është e pakuptueshme. Por duhet ta mbajmë në mend. Diktatet binjake që u ngritën pas Holokaustit, ishin “Kurrë mos e harro” dhe “Kurrë më”. Këto diktate, mendoj, kuptohen më së miri së bashku. Ato lidhin të kaluarën me të ardhmen: Për të parandaluar që diçka si Holokausti të ndodhë përsëri në të ardhmen, nuk duhet të harrojmë kurrë atë që ndodhi në të kaluarën.

Historia e Holokaustit është e mbushur me episode të së keqes së madhe njerëzore. Në nivelin e shtetit, Holokausti u dallua nga mënyra e pamëshirshme dhe sistematike se si u planifikua dhe u ekzekutua projekti i tij i keq. Hitleri dhe pasuesit e tij ishin aq të fiksuar nga e ashtuquajtura “Zgjidhja përfundimtare” e tyre, saqë ata dedikuan sasi masive burimesh për ta arritur atë – ushtarë, pajisje, hekurudha, kampe përqendrimi dhe më shumë – madje edhe në dëm të përpjekjeve të tyre të luftës. Rezultati, në aspektin njerëzor, ishte shkatërrues: Gjashtë milionë hebrenj u vranë në Holokaust, dy të tretat e popullsisë hebreje të Evropës.

E megjithatë, e keqja e Holokaustit shkon shumë më thellë sesa numri i njerëzve të vrarë. “Leon S.”, një i mbijetuar i kampit të përqendrimit Buchenwald, tregoi historinë e mëposhtme, shumë vjet më vonë, të dëbimit të dhunshëm të familjes së tij nga Polonia:

Në atë kohë, gjyshja ime jetonte me ne. Ajo ishte në fillim të të 60-tave, por disa vjet më parë e theu këmbën, e cila nuk u shërua plotësisht, dhe për këtë arsye ajo çalonte gjersa ecte. Dhe kur na u desh të futeshim në vagonët – transportin në një vend grumbullimi – ajo i kërkoi kushërirës sime në polonisht ta ndihmonte të hipte në atë vagon. Dhe një nga ushtarët gjermanë, i cili me sa duket kuptonte polonisht, tha: “Po, unë do t’ju ndihmoj”. Dhe ai nxori një armë nga këllëfi i tij dhe e vrau atë.

Nga dëshmitë e të mbijetuarve si Leon S., kemi dëgjuar shumë histori të tilla, duke dokumentuar çnjerëzimin mizor të Holokaustit. Ka edhe miliona histori të tjera të tilla që nuk do t’i dëgjojmë kurrë.

Por në mes të kësaj errësire, kishte edhe rreze drite. Në të vërtetë, 27 janari 1945 nuk ishte një ditë e trishtuar, por një ditë gëzimi. Atë ditë, Aushvici u çlirua. Dhe ka gjithashtu shumë histori të njerëzve të guximshëm në mbarë Evropën dhe më gjerë – duke përfshirë familje nga Kosova – të cilët me dëshirë u siguruan strehim miqve, fqinjëve dhe refugjatëve hebrenj, ndonjëherë në rrezik të madh për vetveten.

Jo vetëm tmerret e Holokaustit, por edhe shembulli i këtyre njerëzve të guximshëm, duhet të na frymëzojë sot. Ata duhet të na frymëzojnë që të bëjmë gjithçka që mundemi, për të parandaluar dhe luftuar dhunën sistematike shtetërore – deri dhe duke përfshirë gjenocidin – kudo që ndodh në botë.

Këtu në Kosovë, ku u krye gjenocidi i fundit i shekullit të 20-të, ne jemi më se të gatshëm të bëjmë pjesën tonë në këtë detyrë të shenjtë. Pas pushtimit ilegal të Ukrainës nga Rusia, ne iu bashkuam menjëherë sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së kundër atyre që ishin përgjegjës. Në nivel ushtarak, ushtarët e Kosovës kanë marrë pjesë me entuziazëm në Defender Europe dhe këtë vit ne do të jemi nikoqirë të stërvitjeve në vendin tonë. Pas marrjes së Afganistanit nga Talibanët, ne mirëpritëm 1,893 refugjatë afganë në Kosovë, dhe jemi gjithashtu të gatshëm të pranojmë deri në 5,000 refugjatë nga Ukraina. Së fundi, si pjesë e programit tonë Gazetarët në Rezidencë, kemi pranuar 12 gazetarë nga Ukraina dhe katër nga Afganistani, të cilët personalisht i mirëprita këtë javë në Prishtinë.

Dhe kështu, ndërsa jemi mbledhur këtu sot për të përkujtuar viktimat e Holokaustit, le të kujtojmë të kaluarën, me një sy drejt së ardhmes. Mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e të humburve nuk është vetëm përmes fjalëve tona, por edhe përmes veprimeve tona. Me pak fjalë, mos të harrojmë kurrë, por edhe: kurrë më.

Ju faleminderit.​

Shpërndaje në rrjete sociale