Kurti në Ditën Kombëtare të Austrisë: Mbështetëse e palëkundur e rrugës evropiane të Kosovës

20:32 | 27 Tetor 2025
E.H

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë.

Kryeministri uroi shtetin dhe popullin e Austrisë për shënimin e kësaj feste.

“Dje, Austria shënoi këtë moment historik për të 60-tën herë që kur u bë festë zyrtare kombëtare – gjashtë dekada kujtimi, reflektimi dhe krenarie në një rrugë të përcaktuar nga demokracia, përgjegjësia dhe liria.” u shpreh kryeministri.

“Për ne në Kosovë, kjo ditë bart rezonim të veçantë. Rrugëtimi i Austrisë – nga okupimi në pavarësi, nga ndarja në demokraci – pasqyron në shumë mënyra rrugën tonë drejt lirisë dhe vetëvendosjes. Na kujton se sovraniteti nuk ka të bëjë vetëm me kufijtë, por edhe me vlerat: drejtësinë, solidaritetin dhe dinjitetin njerëzor”, shtoi Kurti.

Kryeministri tha se me këtë rast ne festojmë edhe miqësinë e partneritetin mes dy shteteve tona, të ndërtuar në vlera të përbashkëta dhe besim të ndërsjellë.

“Austria i ka qëndruar pranë Kosovës në çdo fazë kritike të shtetësisë sonë. Ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë tonë; ka qenë një mbështetëse e palëkundur e rrugës sonë evropiane; dhe vazhdon të jetë një nga partnerët tanë më të rëndësishëm në zhvillim, arsim dhe investime. Për këtë, shpreh mirënjohjen tonë të thellë.” tha kryeministri Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale