Kurti në 20-vjetorin e IPK-së: Askush nuk është i paprekshëm para ligjit, IPK-ja ka rol kyç

11:45 | 2 Korrik 2026
Q L

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), vlerësoi rolin e institucionit në forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë.

Kurti tha se gjatë viteve të funksionimit të tij, IPK-ja është konsoliduar si një garanci e integritetit, përgjegjësisë dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë, pa dallim dhe pa favorizime, shkruan Arbresh.info.

“Përmes mandatit të tij në hetime, inspektime dhe mbikëqyrje, IPK-ja ka konfirmuar se askush nuk është i paprekshëm dhe se besimi i qytetarëve ndërtohet mbi profesionalizmin, transparencën dhe llogaridhënien”, u shpreh ai.

Sipas tij, gatishmëria e institucioneve të sigurisë për t’iu nënshtruar kontrollit të pavarur ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj tyre.
Kurti theksoi se kjo reflektohet edhe në rezultatet e anketave të fundit, ku Policia e Kosovës renditet ndër institucionet më të besuara në vend, me 85.6 për qind besim nga qytetarët.

Ai shtoi se ky rezultat përfaqëson dëshmi të profesionalizmit të Policisë së Kosovës dhe funksionimit të mekanizmave të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies që garantojnë standarde të larta institucionale.

Duke folur për zhvillimin e IPK-së në vitet e fundit, Kurti tha se institucioni ka shënuar progres të dukshëm në avancimin e rolit të tij institucional./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale