Kurti mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 150 studentëve të Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan

13:49 | 8 Shtator 2025
E.H

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 150 studentëve të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Duke e cilësuar këtë ditë të veçantë, kryeministri Kurti tha se kjo është një ditë e paharrueshme për të gjithë ju, ditë që shënon kurorëzimin e angazhimit dhe përkushtimit tuaj gjatë këtyre viteve të studimit, transmeton Arbresh.info.

Ai tha se Universiteti Publik “Kadri Zeka” që nga dita e themelimit është bërë vatër e dijes për mijëra të rinj e të reja, jo vetëm nga Gjilani e Anamorava, por edhe nga Lugina e Preshevës e deri në Kumanovë. Ky institucion, tha ai, vazhdon traditën universitare të këtij qyteti që prej vitit 1958, duke përgatitur gjenerata mësimdhënësish, studiuesish dhe profesionistësh të fushave të ndryshme, që kanë lënë gjurmë e vazhdojnë të kontribuojnë për vendin tonë.

“Sot, Universiteti ‘Kadri Zeka’ është një institucion i konsoliduar, me gjashtë fakultete e 15 programe studimi, tetë në nivelin Bachelor dhe shtatë sosh në nivelin Master. Riakreditimi pesëvjeçar i vitit të kaluar, dëshmon standardet e tij të larta akademike, përkushtimin e stafit dhe rolin e këtij universiteti si qendër e dijes dhe inovacionit në rajon”, tha Kurti.

Më tej, në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se arsimi është e drejtë e pakushtëzuar, andaj edhe ne si Qeveri e Republikës kemi qenë krah jush në rrugëtimin tuaj akademik. Ai tha po theksoi arsimi i lartë publik është falas që nga viti i parë i mandatit tonë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit vetëm në dy vitet e fundit ka ndarë mbi 1200 bursa për studentët e Universitetit të Gjilanit, dhe është rritur buxheti për kërkime shkencore.

“Po investojmë në programe që lidhen ngushtë me tregun e punës, inovacionin dhe teknologjinë. Sepse, duam që studentët tanë të mos jenë vetëm të diplomuar, por edhe të punësuar, të mos jenë vetëm të punësuar, por edhe të suksesshëm dhe të mos jenë vetëm të suksesshëm, por edhe kontribuues në zhvillimin e vendit”, u shpreh kryeministri.

“Mos u ndalni asnjëherë duke lexuar e studiuar, mos e ndalni asnjëherë kureshtjen për dije dhe pasionin për studim. Diploma, të cilën e merrni sot është veçse përmbyllja e një kapitulli e kurrsesi fundi i një libri, që është vetë jeta. E me këtë porosi të mbramë, unë ju uroj të gjithë juve, por edhe familjeve tuaja, gjithashtu edhe profesorëve, që janë këtu me ne dhe atyre që nuk janë këtu me ne, por ishin me juve në këtë rrugëtim të rëndësishëm; duke thënë që le të jetë ky fillim i një udhe të gjatë me suksese, krenari dhe shpresë për secilën e secilin prej jush e për të ardhmen e vendit tonë!”, ishte thirrja dhe urimi i kryeministrit në përfundim të fjalës së tij./Arbresh.info