Kurti kundërshton heqjen e akcizës dhe TVSH-së për naftën

13:40 | 30 Mars 2026
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar kërkesat për heqjen e akcizës dhe TVSH-së mbi naftën, duke argumentuar se këto masa nuk bazohen në analiza të forta ekonomike dhe nuk do të përmirësonin situatën për qytetarët. Ai theksoi se çmimet e larta të naftës në vend lidhen drejtpërdrejt me tregjet ndërkombëtare, pasi Kosova nuk ka burime të veta ose kapacitete përpunimi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar kërkesat për heqjen e akcizës dhe TVSH-së për produktet e naftës, duke theksuar se “këto propozime nuk janë të bazuara në analiza të mirëfillta ekonomike dhe nuk do të sillnin efektin e synuar për qytetarët”.

Sipas tij, çmimi i naftës në Kosovë ndikohet drejtpërdrejt nga tregjet ndërkombëtare, pasi vendi nuk ka burime të veta dhe as kapacitete për përpunim.

“Çmimi i naftës është mjaft i lartë, ju e dini që e gjithë nafta që është në Kosovë importohet. Ne jo vetëm që s’kemi burime të naftës, por ne nuk kemi as rafineri të naftës. Pra ne as nuk përpunojmë naftë përveç se nuk kemi naftë. Dhe në këtë mënyrë e marrim komplet koston e inflacionit në import. Çmimet e larta që janë jashtë bëhen çmime ndoshta edhe më të larta këtu brenda” theksoi ai.

Sipas tij, propozimet për heqjen e akcizës dhe TVSH-së nuk janë të menduara mirë dhe nuk mbështeten në praktika të suksesshme ekonomike:

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë e Inovacionit, ministrja Mimoza Kusari, i ka vazhduar ato masat e ish-ministres Rozeta Hajdari, dhe ajo është në komunikim të vazhdueshëm edhe me ekspertët. Bindja ime e fuqishme është që këto propozimet për heqje të TVSH-së e të akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike”, tha ai.

Kurti tha që masat e tilla mund të favorizojnë fitime të mëdha për operatorë të caktuar në vend që të lehtësojnë barrën për qytetarët.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes të mos u shërbejmë super-profiteve të ndokujt në vend se t’ua zbusim barrën qytetarëve. Pra të gjitha vendet e Evropës, edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shteti më i fuqishëm në botë, është duke vuajtur koston e luftës që po zhvillohet në Iran e Tehran, në ngushticën e Hormuzit. Dhe sikur ne të kishim port detar e sikur ne të kishim një vend-madh-grumbullimi të naftës, atëherë fluktuacionet në tregjet botërore nuk do të përcilleshin kaq shpejt siç është rasti tani”, theksoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale