Kurti kujton Bllazheviqin: Trajner me pasion, e donte Kosovën

23:41 | 8 Shkurt 2023
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u shpreh se ish-trajneri Mirosllav Qiro Bllazheviq, ka bërë vend si një trajner me pasion për futbollin dhe dashurinë e madhe për Prishtinën e Kosovën.

Sipas Kurtit, i tillë do të mbetet përherë.

Ish-trajneri që e çoi Kroacinë në gjysmëfinale të Botërorit në vitet e 90-ta dhe që e mbajti Prishtinën në elitën e futbollit të ish-Jugosllavisë në vitet e 80-ta, humbi sot betejën e gjatë me sëmundjen e kancerit.

Ai u diagnostikua për herë të parë me këtë sëmundje në vitin 2011.

Legjendari Çiro e mundi dy herë kancerin, por dështoi herën e tretë.

Kurti ka thënë se i kujtohet trajneri kroat si trajner i Prishtinës.

“Qiro Bllazheviq, emër i shënuar në periudhën e gjeneratës së artë të KF Prishtina. Ai sot ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare, duke lënë pas kujtime të shumta nga periudha kur futbolli kosovar kishte arritur kulmin e tij në vitet e ‘80-ta, derisa drejtonte me plot vetëbesim dhe entuziazëm ekipin e atëhershëm të KF Prishtinës. Si fëmijë, e mbaj mend qysh e pat bërë KF Prishtina aq të famshme. E pat sjellë në Prishtinë këngëtaren e njohur kroate, Tereza Kesovija. Para fillimit të një ndeshjeje të ligës elitare të vitit 1985 në Prishtinë, ajo doli në mes të fushës pranë kapitenit të atëhershëm Fadil Vokrri, për ta nisur ndeshjen formalisht, derisa të gjithë shikuesit në tribina mbanin shalla të bardhë, sepse kështu bënte vetë Mirosllav Qiro Bllazheviq. Në kujtesën e atyre që e kanë përcjellë futbollin e asaj kohe, Bllazheviq ka bërë vend si një trajner me pasion për futbollin dhe dashurinë e madhe për Prishtinën e Kosovën. Dhe i tillë do të mbetet përherë! Ngushëllime të sinqerta për familjarët dhe komunitetin futbolldashës!”, ka shkruar Kurti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale