Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar ndaj protestës së paralajmëruar nga disa biznese, me organizim të Odës Ekonomike, që do të bllokojnë hyrjet kryesore të Prishtinës nga ora 10:00 deri në 12:00.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se koha e bllokadave ka kaluar, shkruan Arbresh.info.
Kurti ka thënë se nga vendimi për të dalë në treg të hapur preken 1200 ndërmarrjes apo 1% e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë.
“300 prej tyre si prodhuese dhe shpenzuese më të mëdha, preken më së shumti, por duhet theksuar se ky proces nuk është i befasishëm”, tha Kurti.
Ai theksoi se ligji për energjinë elektrike është miratuar që në vitin 2016, ndërsa faza e parë e liberalizimit ka nisur më 2017. Sipas tij, faza e dytë është shtyrë disa herë në këto tetë vjet, duke u dhënë bizneseve kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.
Tutje, ai theksoi se ndërmarrjet kanë përfituar tarifa të rregulluara dhe subvencione në vlerë prej 26 milionë eurosh, ndërsa qeveria i ka mbështetur edhe gjatë pandemisë dhe krizës energjetike. Ai përmendi skemat për efikasitet energjetik, instalim të paneleve solare dhe subvencionim për pajisje e makina më efiçiente si mjete konkrete të përkrahjes.
Në adresim të drejtpërdrejtë ndaj Odës Ekonomike, Kurti u shpreh kritik për rolin e saj në organizimin e protestës.
“Oda Ekonomike që duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me kërkesën për shtyrje. Por ajo çka nuk po iu tregon Oda Ekonomike është se kërkesa e tyre për një vit shtyrje nuk e zgjidh problemin, por vetëm e bart koston e energjisë te fatura e secilit prej jush”, u shpreh ai.
Kurti përfundoi fjalimin me thirrje për reflektim.
“Nuk mund të mbrojmë 1% të bizneseve në kurriz të 99%. Koha e barrikadave ka kaluar. I kemi hequr kudo ku kanë qenë dhe nuk do të lejojmë të vendosen të reja. U bëjmë thirrje bizneseve të mendojnë në mënyrë të mençur dhe ne do t’i mbështesim”, deklaroi ai.
Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të thotë se bizneset e mëdha nuk do të përfitojnë më nga tarifat e rregulluara, por do të detyrohen të sigurojnë furnizim përmes tregut të hapur./Arbresh.info/
PZAP rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikon Listën Serbe për t...
Orav përshëndet konsolidimin e qeverisjes lokale në 20 komun...
Qeveria britanike ofron deri në 3000 paund për emigrantët sh...
Gjermania hedh poshtë pretendimet e SHBA për Evropën: Ne nuk...
BE mirëpret betimin e kryetarëve në komunat e veriut
Osmani uron Tajlandën për Ditën Kombëtare: Mezi pres të forc...