Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë në territorin e Kosovës, duke përmendur në këtë kontekst dy arrestime të fundit.
Ai përmendi rastin e Bojan Jevtiq, toger në Policinë e Kosovës, i cili u arrestua më 17 korrik 2025, nën dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në shërbim të BIA-s serbe, me qëllim rrezikimin e sigurisë së përgjithshme dhe pengimin e operacioneve të Policisë së Kosovës.
“Institucionet e inteligjencës dhe sigurisë po iu kundërvihen suksesshëm ndaj përpjekjeve. Këtu përfshihen edhe arrestimet e personave përgjegjës, me dëshmi për aktivitete e tyre kundër Kosovës sikurse rastet e Bojan Jevtiq, toger në Policinë e Kosovës, i arrestuar më 17 korrik 2025 mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi për interesa të BIA-s, me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacioneve të Policisë së Kosovës në veçanti dhe Igor Popoviq, ndihmës drejtor në të ashtuquajturën zyra për Kosovë në Qeveri të Serbisë, i arrestuar me datë 18 korrik 2025 për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndër etnik”, ka thënë ai.
Kurti përmendi si provë në rastin e Popoviqit incizime ilegale të bisedave të datës 17 shtator 2020, të zhvilluara brenda objektit të Bashkimit Evropian në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.
“Është rast jashtëzakonisht serioz, që shpërfaq në një mënyrë që s’e kemi hasur më herët, qasjen sistematike, destruktive, minuese e sabotuese të Serbisë në raport me palët”, ka thënë Kurti./Arbresh.info