Kurti dhe Konjufca takohen me zyrtarin e lartë të OKB-së

13:13 | 23 Qershor 2026
E H

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacione Paqeje, Jean-Pierre Lacroix, ka zhvilluar vizitën e tij të dytë në Kosovë brenda tre viteve, ku ka zhvilluar takime të nivelit të lartë me përfaqësues të institucioneve të vendit.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lacroix, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Peter Due, është pritur në takime nga kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë në detyrë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Në këto takime, është diskutuar për situatën e përgjithshme në vend, me fokus në zhvillimet aktuale, progresin institucional dhe angazhimet e Kosovës në proceset ndërkombëtare. Palët kanë vlerësuar arritjet e deritanishme, duke nënvizuar nevojën për vazhdimin e dialogut dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Gjithashtu, Lacroix ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Në deklaratat e tij, ai ka rikonfirmuar mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe ka theksuar angazhimin e UNMIK-ut për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe nxitjen e ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

\