Kurti: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 ishte shprehje e vullnetit politik gjithëpopullor

13:04 | 2 Korrik 2026
H.E

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, pritën sot delegatë, përkatësisht deputetë të Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës e cila e ka miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.

Në fjalën hyrëse Kurti tha se Deklarata Kushtetuese ishte shprehje e lirisë, por edhe e barazisë, ishte shprehje e vullnetit të popullit kundër diskriminimit e nënpërfaqësimit.

Duke përmendur edhe Kushtetutën e 7 Shtatorit në Kaçanik, ai theksoi se “këto dy akte politike, të cilat e përplotësuan njëra-tjetrën, ishin shpallje deklarative politike, por edhe shpallje normuese e juridike të Kosovës republikë, si një vullnet politik gjithëpopullor e i kamotshëm, i cili deri atëherë ishte qarkulluar masivisht, por vetëm si një parullë”.

“Më 2 korrik 1990, vullneti legjitim politik i shqiptarëve triumfoi mbi dhunën, shtypjen dhe diskriminimin politik të Serbisë ndaj tyre. Republika e Kosovës, e shpallur në vitin 1990, ishte e para republikë e Kosovës, e cila rezultoi të ishte republikë për rezistencë, njëherë për qëndresë paqësore e mandej edhe për luftë çlirimtare”, tha kryeministri.

Duke iu drejtuar delegatëve të pranishëm, kryeministri në detyrë Kurti tha se takimi në përvjetorin e 36-të të Deklaratës është falënderim e mirënjohje ndaj tyre dhe përpjekje për të kultivuar një traditë institucionale të njohjes së vlerave, kontributeve dhe historisë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale