Kundërshtohet zhvendosja e varrezave në Ferizaj

22:48 | 1 Korrik 2018
M. A.

Ndryshimi i lokacionit të varrezave të Qytetit të Ferizajt po kundërshtohet nga opozita dhe qytetarët që jetojnë në Fshatin e Vjetër.

Banorët e fshatit të vjetër thonë se në vitin 2017 gjatë qeverisjes së Muharrem Sfarqës ishte vendosur që varrezat të jenë në fshatin Balaj, raporton KTV.

Por, meqë kryetari i tanishëm, Agim Aliu, është nga fshati Balaj ai ka vendosur që ta ndryshojë vendimin.

Megjithëse vendimi për ta ndryshuar lokacionin e varrezave u mor me votë në kuvendin komunal, opozita thotë se është vendim i jashtëligjshëm dhe se u bë për qëllime politike.

Drejtori i Urbanizmit në Ferizaj, Lulzim Aliu, thotë se ndryshimi i lokacionit të varrezave është bërë pas kërkesës së FSK-së që varrezat të mos jenë pranë kazermave të tyre.

Ai mohon se vendimi u mor në mënyrë të jashtëligjshme.

Aliu thotë se opozita ka heshtur kur në Kuvendin Komunal ishte shtruar mundësia e këmbimit të pronave.

Aliu tregon se në vazhdim pritet të nisin dëgjimet publike dhe të vendoset lokacioni përfundimtar.

Por, tregon se nuk kanë parcelë tjetër komunale me sipërfaqe dhe karakteristika për t’u shfrytëzuar për varreza.