Kundërshtohet kurdisja e tenderit të stentave

08:31 | 23 Shkurt 2016
M. A.

Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, në një shkresë që ia ka përcjellë drejtorit të Kardiologjisë, Gani Bajraktari, ka kërkuar nga ky i fundit që t’i shqyrtojë specifikat në lidhje me kërkesat për tenderin për “Furnizim me materiale në Kardiologji”, duke mos bërë favorizime dhe përjashtime të kompanive

Pikërisht ditën kur gazeta “Zëri” ka publikuar artikullin me titull: “QKUK kurdis tenderin për stentat” ka reaguar drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, i cili për këtë çështje ka kërkuar përgjegjësi nga drejtori i Klinikës së Kardiologjisë.

Gazeta “Zëri” ka siguruar shkresën e protokolluar më 22.02.2016, me numër protokolli 250, ku drejtori Gjocaj i shkruan drejtorit të Kardiologjisë, Gani Bajraktari, se janë mjaft të shqetësuar për mospërgjigje të duhura dhe profesionale në lidhje me tenderin: “Furnizimi me materiale për Kardiologji”.

“Gjatë fazës tenderuese ka pasur pyetje, vërejtje që kryesisht kanë të bëjnë me specifikacionet teknike”, thuhet në shkresën që Gjocaj ia ka drejtuar vartësit të tij, Gani Bajraktarit.

Vërejtje Bajraktarit: Specifikat të mos jenë favorizuese dhe përjashtuese

Kështu, Zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, ka kërkuar nga Bajraktari që t’i rishikojë urgjentisht specifikacionet teknike.

“Tërheqim vëmendjen tuaj që specifikacionet janë përgjegjësi profesionale e njësisë kërkuese, pra në rastin konkret e Klinikës nën menaxhimin tuaj. Kërkojmë që urgjentisht t’i vlerësoni vërejtjet dhe edhe një herë specifikacionet e këtij tenderi. Në mënyrë që ky aktivitet prokurimi të vazhdojë sipas planifikimit që më e pakta që do duhet të bëjmë është vazhdimi i afateve (kohës së hapjes) në mënyrë që specifikacionet të jenë të qarta, në asnjë mënyrë të mos jenë favorizuese dhe përjashtuese”, ka shkruar Zyra e drejtorit të SHSKUK-së

Shpërndaje në rrjete sociale