Kryetari i Ferizajit Muharrem Sfarqa, është përballur me përfaqësuesit e opozitës, për raportin e punës për vitin 2014 në seancën e kuvendit në Ferizaj.
Ndonëse rendi i ditës kishte 14 pika, debati për raportin ishte lënë për në fund, nga fakti se kësaj radhe, për dallim nga praktikat e kaluara, ishte paraparë që të raportojnë veç e veç edhe drejtuesit e drejtorive komunale.
I pari i Ferizajt Muharrem Sfarqa, ka përmendur të arriturat dhe sfidat e pushtetit gjatë kësaj periudhe, duke thënë se viti i kaluar ka qenë vit sfidues për pushtetin, duke marrë parasysh borxhet e trashëguara, shkurtimet nga buxheti i planifikuar, si dhe faktin e ndryshimeve në pushtet pas zgjedhjeve të dhjetorit 2013. Por, sipas tij, me gjithë sfidat, pushteti lokal ka arritur të konsolidohet relativisht shpejt, t’i hyjë me seriozitet larjes së borxheve, hartimit të planit të punës, rritjes së inkasimit të të hyrave dhe realizimit të planit investiv.
“Gjatë vitit 2014 kemi realizuar dhjetëra projekte infrastrukturore, duke investuar rreth 6 milionë euro në asfaltime rrugësh, në ndërtimin e rrjeteve të ujësjellësve e kanalizimeve, në renovimin e objekteve shkollore e shëndetësore etj, duke përmirësuar kushtet e shkollimit, kujdesin shëndetësor dhe kushtet e jetesës në përgjithësi. Gjatë vitit të kaluar ne kemi shënuar ngritje të ndjeshme të të hyrave vetjake të komunës sonë; e kemi shtuar inkasimin e tatimit në pronë për 39 për qind; me kërkesë të Qeverisë, kemi zbatuar një ulje në “shërbime dhe mallra” për 250 mijë euro; kemi shpenzuar rreth 39 për qind më pak për dreka zyrtare; kemi ulur shpenzimet për karburante për 3.5 për qind etj. Por në anën tjetër i kemi shtuar shpenzimet për telefoni dhe për mirëmbajtjen e automjeteve, pasi kemi qenë të detyruar të paguajmë borxhe të vitit paraprak”, tha Sfarqa.
Opozita, në anën tjetër, ka adresuar vërejtjet e saj lidhur më atë se në raport nuk është përfshirë puna e kryetarit të komunës.
Shefi i grupit kuvendor të PDK-së, Gazmend Bytyqi, tha se për nga rëndësia, pas buxhetit, raporti i punës së kryetarit duhej të jetë njëri ndër dokumentet më me vlerë. Ai shtoi se raportit i mungojnë planifikimet dhe punët e realizuar dhe nisur nga kjo, sipas tij, del se gjatë këtij viti ka pasur më së paku udhëheqje nga kryetari i zgjedhur.
Më tutje, Bytyqi, ka numëruar edhe vargun e dështimeve, duke përmendur keqmaxhimin e financave nëpër secilën drejtori, qasjen e gabuar edhe ndaj Kuvendit, duke përdorur trysnitë për ndërrimin e lokacioneve të projekteve, punësimet me kontrata në vepër, projektet me CARITAS-in, dështimet në shëndetësi, arsim dhe në zyrën e prokurimit.
“Drejtoria e Arsimit është bërë vend i shkeljeve dhe diferencimeve politike, kjo ka ndikuar që të kemi rezultate të ulëta dhe rënie të cilësisë. Gjithashtu, edhe inkasimi i të hyrave ka shënuar rënie, ka pasur ngecje në projektet infrastrukturore por edhe shkelje të shumta në zyrën e prokurimit, shumë ankesa dhe shumë lëndë janë humbur. Do të doja që raporti të jetë pozitiv, transparent”, ka thënë Bytyqi.
Ndaj këtyre kualifikimeve ka reaguar kryetari Sfarqa duke vënë në dukje se për menaxhimin e parasë publike përgjegjësia është e kryetarit, ndërsa për procedurat e projekteve zyra e prokurimit.
“I respektoj shqetësimet tuaja, por ju siguroj se nuk bëhet fjalë për asnjë keqpërdorim”, ka nënvizuar Sfarqa, teksa ka përmendur edhe disa të arritura që sipas tij nuk bën assesi të anashkalohen, siç është rasti me rritjen e të hyrave nga qiratë në masën 98%, dhe rritje pothuajse në të gjitha të hyrat tjera.
Por, ajo që është përmendur si shqetësim nga kryetari Sfarqa, ka qenë masat që po aplikohen nga përmbaruesit privat të cilët po u shkaktojnë probleme në buxhetin komunal.
“Këto masa shtrënguese që nuk kanë qenë praktikë e viteve të kaluara po rrezikojnë edhe disa projekte kapitale ngase pa na pyetur fare po na merren paratë, duke paguar edhe taksën e shërbimit të këtij organi”, përfundoi Sfarqa.
Debati i cili rrodhi më pastaj mori kahe pro et kontra nga përfaqësuesit e pushteti dhe të opozitës, ndërsa gjatë pjesës së parë Kuvendi Komunal i Ferizajt mori edhe disa vendime të rëndësishme për ndarjen e disa ngastrave kadastrave.
Këshilltarët u njoftuan edhe me një informatë të kryetarit lidhur me komisionin për shqyrtimin e kërkesave për dhënien e banesave me qira që janë pronësi e komunës, si dhe debatuan ecurinë financiare për periudhën janar-mars të këtij viti. Në agjendë të kuvendit do të jenë edhe raportet e drejtorive komunale të cilat, sipas paralajmërimeve, do të debatohen veç e veç.
A është vërtet më afër se kurrë një marrëveshje paqeje për U...
Barcelona bën detyrën dhe kalon tutje në Kupën e Mbretit
Ludo Lee shpërthen ndaj Albës: Kjo koka e sëmurë o vëlla, de...
Abdixhiku për Agim Veliun: E ka vendin e tij në LDK gjithmon...
Arktiku përjetoi vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëher...
Mbyllet Asambleja e SEPCA-s në Vlorë, Drejtori i Policisë së...