Kryeprokurori i Mitrovicës akuzon ZPD-në, mbrojti prokuroren Badivuku

11:42 | 9 Shtator 2015
Gita

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Shyqyri Syla, akuzon Zyrën e Prokurorit Disiplinore të Kosovës se po bënë drejtësi selektive dhe po ndërhynë në kompetenca të prokurorisë.

“Kjo zyre bën drejtësi selektive, pasi që ka lëndë të tëra ku hetohen gjyqtarët dhe prokurorët për shkelje të rënda të Kodit të Etikes dhe të detyrave të punës dhe presin me vite e nuk i zgjedh”, është shprehur Syla për arbresh.info.

Ai në këtë rast e përmend çështjen e  prokurores Vahide Badivukun, ndaj së  cilës  thotë se kishte ushtruar 5 ankesa që nga fillimi i vitit 2014 dhe ZPD  asnjëherë nuk i ka zgjedhur.

“Jam i bindur se po që se kjo zyre nuk do ta merrte në mbrojtje këtë prokurore, nuk do të ndodhte skandali Geci e as ky i fundit kur është arrestuar për ryshfet, ndërsa në rastin tim fillon hetim disiplinor sipas detyrës zyrtare pa kurrfarë baze dhe e përfundon me shpejtësi drite. Kjo tregon se kjo zyre për dikë është nënë e për dikë është njerke” është shprehur për arbresh.info  kryeprokurori  i Mitrovicës Shyqyri Syla.

Në anën tjetër Zyra e Prokurorit Disiplinor e mohon  këtë. Drejtori i  ZPD Zef Prendrecaj thotë se  kjo zyre asnjëherë dhe në asnjë rast ZPD nuk ka bërë dhe nuk bënë drejtësi selektive dhe siguron se asnjëherë nuk ka aplikuar standarde të dyfishta për trajtimin e këtyre rasteve.  “Secili rast në ZPD procedohet dhe hetohet pa marrë parasysh se, kush mund të jetë subjekt i procedurës hetimore disiplinore (cili/a gjyqtar/e apo prokuror/e është subjekt i procedurës hetimore disiplinore)”, ka thënë Prendrecaj.

Sipas tij, ZPD procedurat dhe veprimet disiplinore i ndërmerr bazuar në fakte, prova dhe në ligjin e aplikueshëm.  ZPD, sipas drejtorit të saj, nuk e ka mbrojtur dhe nuk e mbron asnjë subjekt të mundshëm të hetimit disiplinor për sjellje të pahijshme (gjyqtar apo prokuror) pa marrë parasysh kush mund të jetë ai/ajo.

auto_sssssssssss1439557030

“As prokuroren për të cilën ju pyesni, ZPD nuk e ka mbrojtur, por ka zhvilluar procedurën disiplinore ligjore ndaj saj për të gjitha rastet. Për shkak se, hetimet disiplinore janë konfidenciale nuk mund të ju japim detaje të cilat argumentojnë ndërmarrjen e veprimeve në të gjitha rastet për të cilat ju pyesni”, është shprehur Prendrecaj për arbresh.info.

ZPD thotë se disa raste kërkojnë prioritet në hetime disiplinore siç janë rastet e rënda të sjelljes së pahijshme. ZPD, arsyetohet se vazhdimisht në tre vitet e fundit ka pasur numër të pamjaftueshëm të stafit profesional (Inspektoreve), andaj, pasi që ka analizuar rastet, natyrën dhe peshën e veprimeve për sjellje të pahijshme, për rastet e shkeljeve të rënda, ZPD është e detyruar të aplikoj prioritetet.

Ndryshe, prokurorja  e krimeve të rënda Vahide Badivukun javë më parë është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe krim të organizuar. Badivuka ishte kap në flagrancë duke marr mito për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale, të cilën ajo e ka pasur në hetime. Ajo kishte  kërkuar ryshfet në shumën prej 22.000 euro përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës në fjalë, si prokurore e rastit ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve./G. Lushi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale