Kryeministri Kurti vendosi lule dhe bëri homazhe te varret e Fan Nolit dhe Faik Konicës

22:03 | 21 Maj 2022

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës sç Kosovës, Albin Kurti Kurti ka vendosur lule të freskëta dhe ka bërë homazhe te varret e dy atdhetarëve, politikanëve e shkrimtarëve shqiptarë, që shënuan shekullin XX, Fan Noli dhe Faik Konica, në Boston të Massachusetssit.

Më pas, kryeministri ka vizituar Katedralen Shën Gjergji, në të cilën ka shërbyer Fan Noli si kryepeshkop dhe bibliotekën ku ruhen librat, dorëshkrimet dhe gjësendet e tjera të tij.

Në katedrale, kryeministri Kurti është takuar me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe përfaqësues të shoqatës shqiptare “Vatra”, një ndër themeluesit e së cilës ishte Fan Noli, në nderim të figurës së të cilit ai ka mbajtur një fjalë rasti.

Kryeministri ka thënë se në Katedralen e Shën Gjergjit, Fan Noli mbajti për herë të parë një meshë në gjuhën shqipe në Boston, mbasi ishte dorëzuar prift në mars të vitit 1908, katër vjet para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 1912.

“Ky fakt na i thotë të gjitha. Ende pa e pasur shtetin, shqiptarët ju patën juve, këtu”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai e çmoi kontributin e madh të kishës së Shën Gjergjit edhe në krijimin e shtetit të Kosovës. Janë pa fund aktivitetet e nisura prej këtej dhe janë mijëra raste të mikpritjes tuaj për shumë nevoja që u paraqitën në dekada, ka thënë kryeministri Kurti.

Sipas tij, organizimi për futjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, ku Fan Noli ishte delegat, nuk ka qenë më i lehtë se çfarë është sot vështirësia për ta anëtarësuar Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Andaj, nuk është e papritur që sot pothuajse secili e secila e ka në mendje se si ia dolën ata para nesh në mënyrë që të organizohemi sërish edhe ne, ka theksuar ai, teksa ka folur për të arriturat në një vit qeverisje.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Mitropolit Theofan,

Përshëndetje të dashur të pranishëm,

Është nder i veçantë që sot gjendem midis jush dhe në këtë organizim mbresëlënës.

Ne të gjithë atje përtej oqeanit, kemi lexuar e kemi dëgjuar rrëfime, ngjarje e momente, data dhe personazhe të pashlyera nga historia kolektive lidhur me këtë vend ku jemi mbledhur sot.

I njëjti ka qenë frymëzim dhe shpresë plot dritë që vjen nga larg shtëpisë ,por që u themelua si shtëpia e më të mirëve prej nesh.

Nuk ka shqiptar i çdo gjenerate, i çdo treve që nuk ka thërritur qoftë edhe njëherë në jetë zëplotë a nënzë “Mbahu Nëno, mos ke frikë se ke djemtë në Amerikë”.

Nga këtu, nga katedralja e Shën Gjergjit, me emrin sipas Gjergjit tonë, nga këtu ku e dëgjuan për herë të parë në shqip meshën paraardhësit tuaj e tanë, me gjithë zemër, dua të bëj një homazh të madh sa i gjithë kombi për të çmuarin Fan Stilian Nolin – Imzot Nolin.

Dhe të gjithë klerikët që shërbyen këtu vitet pas tij, për At Artur Liolinin, që mbajtën dyert hapur për të gjithë shqiptarët. Që e bënë Kishën e Nolit, portin ku u ndalën shumë, e nga u nisën kaq shumë ndihma.

Katedralja juaj këtu e Shën Gjergjit është kisha ku Fan Noli mbajti për herë të parë një meshë në gjuhën shqipe në Boston mbasi ishte dorëzuar prift në mars të vitit 1908.

Në këtë kishë është meshuar shqip përpara se organizimi i madh të kulmonte me shpalljen e pavarësisë më 1912. Ky fakt na i thotë të gjitha. Ende pa e pasur shtetin, shqiptarët ju patën juve, këtu.

Kjo kishë, komuniteti juaj, kanë pasur një kontribut të madh edhe në krijimin e shtetit të Kosovës. Janë pa fund aktivitetet e nisura prej këtej dhe janë mijëra raste të mikpritjes tuaj për shumë nevoja që u paraqitën në dekada.

E ja pra sot, pas 23 viteve të çlirimit të Kosovës dhe në vitin e 110 të 28 nëntorit dhe të Vatrës, gjendemi këtu bashkë përsëri, me shumë shpresë sërish në ju dhe organizimin tuaj në këto kohë kur na nevojitet që ta rigjallërojmë përpjekjen tonë të përbashkët për arritje të reja kombëtare.

Organizimi për futjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve nuk ka qenë më i lehtë se çfarë është sot vështirësia për ta anëtarësuar Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Andaj nuk është e papritur që sot pothuajse secili e secila e ka në mendje se si ia dolën ata para nesh në mënyrë që të organizohemi sërish edhe ne.

Prej një viti që e morëm qeverisjen në Kosovë, kemi mbërritur disa rezultate që janë në rrugën e duhur. Rritja ekonomike, e investimeve, e eksporteve, e të hyrave tatimore, e pensioneve, e shtesave për fëmijë dhe për lehona, e bursave për studentë, e buxhetit për ushtri e për bujqësi, ulja e shpenzimeve qeveritare, luftimi gjithnjë e më i suksesshëm i korrupsionit, përfaqësimi i dinjitetshëm i shtetit e te tjera, e të tjera.

Krahas tyre, kemi bërë 20 marrëveshje të përbashkëta me Shqipërinë në të gjitha fushat, nga arsimi te infrastruktura, nga bujqësia te shëndetësia, nga mërgata te diplomacia, nga drejtësia te punët e brendshme, nga energjia te siguria.

Në fund të qershorit do të mbajmë mbledhjen tjetër ndërmjet dy qeverive tona ku përveç zbatimeve do të vendosim edhe një grup tjetër marrëveshjesh duke vijuar kështu deri sa të kemi unifikuar të gjitha sferat. Sepse duam që bashkëpunimi dhe integrimi ynë ndërshqiptar të jenë pa pengesa për të gjithë shqiptarët, për punë, arsim, sipërmarrje, kulturë, shkencë, art e sport. E veçanërisht për investime të përbashkëta.

Këtë na e thonë idealet e veprimtarëve, dëshmorëve dhe martirëve tanë. Këtë na e kërkojnë edhe dëshirat e ëndrrat e rinisë dhe vet fëmijëve tanë.

Gjej rastin sot t’ju drejtohem me një ftesë për ta vizituar ju vetë Kosovën, siç ju vizitova unë sot këtu. Jeni të mire se ardhur përherë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale