Kryeministri Kurti takoi kongresistin Darell Issa

14:50 | 20 Maj 2022

Në kuadër të vizitës zyrtare në Washington D.C., Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga kongresisti amerikan Darell Issa.

U diskutua për situatën gjeopolitike në Evropë dhe sigurinë e rajonit pas invazionit dhe agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe parandalimin e ndikimit rus në Ballkan. U tha se të gjitha shtetet demokratike duhet të rreshtohen kundër luftës ilegale e agresore të Rusisë.

Kryeministri Kurti ritheksoi nevojën e përshpejtimit të procedurave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, si qëllime kryesore gjeopolitike dhe strategjike të Republikës së Kosovës.

Ai theksoi progresin e Kosovës në fushat si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe zhvillimin ekonomik.

Kryeministri tha se Kosova tashmë po kontribuon për paqen dhe stabilitetin, duke shërbyer me krenari në misione përkrah partnerit dhe aleatit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në takim u potencua rëndësia e rritjes së mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në mënyrë që vendi ynë të ketë ushtri të mirëtrajnuar e të pajisur sipas standardeve të ushtrive moderne të vendeve të NATO-s./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale