Kryeinspektori i punës akuzon ‘mafian’ e ndërtimit për sulmin ndaj tij

09:07 | 3 Maj 2020
A Z

Kryeinspektori i Punës në Rajonin e Mitrovicës, Nexhat Fazliu, ditë më parë ishte sulmuar fizikisht nga persona të panjohur derisa ishte duke shkuar për në punë.

Ai në një intervistë dhënë për arbresh.info ka deklaruar se ka pasur lëndime të rënda trupore ku si rezultat u dërgua në Qendrën Klinike Universitare dhe mori tretman mjekësor.

Fazliu duke theksuar se personalisht nuk ka pasur probleme me askënd, dyshon se këtë sulm e kanë kryer pronarët e një kompanie të cilët i kishte dënuar më parë gjatë kryerjes së detyrës.

Më tutje Nexhat Fazliu  ka thënë se personat në fjalë janë mafia të një kompanie të ndërtimit dhe se tashmë rasti është në polici.

“Tre ditë më parë përderisa isha duke shkuar në punë me veturën time, më ndaluan disa persona të maskuar dhe më sulmuan fizikisht. Pasi që më sulmuan mua, ata e kanë dëmtuar edhe veturën zyrtare me tabelat 3Z. Pasi që u lëndova rëndë, më dërguan në QKUK, ku dhe mora tretman mjekësor”, tha ai.

“Personalisht nuk kam pasur probleme me askënd. Muaj më parë  gjatë kryerjes së detyrës kisha dënuar një kompani për arsye se kishte një punëtore të mitur.”

Kryeinspektori Nexhat Fazliu deklaron se personat në fjalë e kishin kërcënuar edhe më parë madje edhe në prani të policisë..

“Në ditën që kemi kryer inspektimin në kompaninë në fjalë, i dënuam me gjobitje ku e kishim edhe policinë e shtetit në prezencë. Atë ditë na kërcënuan, madje edhe më kanë përcjellur me veturë pasi që dolëm nga kompania dhe polica nuk ka marrë asnjë hap në lidhje me këtë”, shprehet Fazliu.

Ai deklaron se një ditë pas kërcënimeve kishte kërkuar të nga policia sqarime se pse nuk ishin arrestuar personat që e kishin kërcënuar në prani të policies, por që këta të fundit nuk janë përgjigjur.

“Në ditën e nesërme kërkova zyrtarisht sqarime nga policia  se pse nuk ishin arrestuar personat të cilët më kishin kërcënuar në praninë e policies, por nuk mora asnjë përgjigje. Me konkretisht iu referova përmes emailit zyrtar,  komandantit të stacionit të Mitrovicës së Jugut z.Xhosha. Tashmë rasti gjendet në polici dhe kanë filluar hetimet”, tha kryeinspektori Nexhat Fazliu. /A. BEGOLLI/arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/1084550078588257/

Shpërndaje në rrjete sociale