Krasniqi uron Ramën për fitoren në zgjedhje

19:00 | 15 Maj 2023
Emir Abduramani

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar Partinë Socialiste (PS) për fitoren e madhe në zgjedhjet për kryetar të bashkive që u mbajtën më 14 maj dje në Shqipëri.

Në një postim në Facebook, Krasniqi është shprehur me plot shpresë se kryetarët e zgjedhur të bashkive të punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Uroj Kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, për fitoren në shumicën e bashkive në Republikën e Shqipërisë. Shpresoj që besimi i qytetarëve i dhënë në këto zgjedhje për kandidatët e tyre, t’u shpërblehet me punë, përmirësim të jetesës dhe realizim të premtimeve”, ka shkruar Krasniqi.

I pari i PDK-së, ka theksuar se këto zgjedhje demokratike janë tregues i pjekurisë politike e shoqerore në Shqipëri.

“Shqipëria përfundoi edhe një palë zgjedhje, të lira dhe demokratike, duke shënuar kështu një momentum të rëndësishëm të pjekurisë dhe përgjegjësisë politike e shoqërore. Vlerësoj përkushtimin e institucioneve në garantimin dhe sigurinë që zëri i secilit qytetar të dëgjohet – drejt dhe pa ndërhyrje”, shkroi ai.

PS ka fituar në 54 bashki në Shqipëri, nga 61 gjithsej, duke i shkaktuar humbje të thellë opozitës atje, në krye me Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Madje, PS mori edhe bastionet e dikurshme të Berishës, si Shkodrën dhe Tropojën, teksa fitoi bindshëm në Tiranë edhe në Durrës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale