Krasniqi: M’u mohua e drejta për liri si një njeri në fazën e fundit të jetës

15:40 | 18 Shkurt 2026
E.G

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi në fjalën përfundimtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), tha se për pesë vjet i janë shkelur të drejtat e tij themelore. Në veçanti, ai tha se i është shkelur e drejta për të jetuar në liri.

Në këtë rast, bashkë me Krasniqin, akuzohen edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Ata ngarkohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Krasniqi tha se si një njeri në fazën e fundit të jetës, i është mohuar e drejta që të jetojë me familjen e tij në atdheun e tij të lirë.

“Për më shumë se pesë vjet besoj që më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore. Ndër to më e rëndësishme është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuara me dinjitet, pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, tha ai.

Ai tha se kjo i është bërë pa i shkaktuar askujt padrejtësi dhe pa ia rrezikuar askujt jetën.

“Kjo më është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askujt. Pa ia rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm”, tha Krasniqi.

Një ditë më parë, në ditën kur Kosova shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë, në Prishtinë u organizua një marsh, në të cilin morën pjesë mijëra qytetarë, për të kërkruar drejtësi për të akuzuarit e Speciales.

jala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme