Krasniqi: Ardhja e Vulinit në Dragash është agresion “paqësor” i Serbisë mbi Kosovë

21:08 | 6 Maj 2015
M. A.

Ish kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se ardhja e Aleksandër Vulinit në Dragash për të hapur zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit të Serbisë është agresion “paqësor” i Serbisë mbi Kosovë.

E kjo, ka bindjen Krasniqi, është duke u bërë me lejen e, siç ka thënë ai, dy Kryeministrave tanë dhe bazën e ka në bisedimet politike te Brukselit dhe marrëveshjes për koalicionin qeverisës “të arritur në Rashkë në mes të LDK-së, PDK-së dhe Listës Serbe”.

“Nuk e di nëse ju krerët e koalicionit qeverisës (Mustafa-Thaçi) i keni lexuar sot mediat të cilat po shkruajnë për vizitën e Vulinit (me këmishë të zezë) në komunën e Sharit (Dragashit) për të hapur zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit të Serbisë”, ka thënë Krasniqi.

Këmishëziu Vulin, ishte i “kënaqur që tani jemi i në gjendje të hapim zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit (të Serbisë) për të punësuar njerëz të rinj”, ka cituar Krasniqi.

“Kjo që po ndodh dhe jo vetëm më ketë rast nga përfaqësues të Serbisë në Kosovë, nuk është më pak sesa një agresion “paqësor” në Republikën e Kosovës. Ky agresion “paqësor” është duke u bërë me lejen e dy Kryeministrave tanë dhe bazën e ka në bisedimet politike te Brukselit dhe marrëveshjes për koalicionin qeverisës të arritur në Rashkë në mes të LDK-së, PDK-së dhe Listës Serbe”, ka thënë ai.

Po me gjasë kjo nuk është fundi, ka thënë Krasniqi, teksa ka shtuar se vazhdimi do të jetë me operatorin e tretë mobil, bashkësinë e komunave serbe e pastaj do të vazhdohet me Liqenin e Ujmanit dhe Trepçën etj.

“Një gjë është e sigurt, krerët e koalicionit qeverisës, janë në pozicione për të mbrojtur vetëm veten e tyre dhe assesi nuk janë të interesuar ta mbrojnë interesin vital të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi. “Guri është duke u rrokullisur, Kryeministrat tanë nuk kanë energji për të penguar rrokullisjen! Mbase dëshirojnë ta vazhdojnë “bashkim vëllazërimin”! Ky ishte një kombinim fatal për qeverisje!”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale