KQZ reagon pas aksidentit të anëtarëve në Ferizaj: Ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave në kuadër të procesit zgjedhor

12:55 | 18 Tetor 2025
E.K

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me njoftim zyrtar pas aksidentit të rëndë trafiku ku u përfshinë pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Ferizajt.

Në njoftim bëhet e ditur se aksidenti ndodhi të premten në orën 18:17, ndërsa anëtarët e komisionit ishin duke kryer detyrat e tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor.

Në njoftim theksohet se pesë zyrtarët ishin të angazhuar me përkushtim në përmbylljen e procesit zgjedhor në Ferizaj, i cili u zhvillua më 12 tetor në të gjithë vendin.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton opinionin publik se të premten, në orën 18:17, pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Ferizajt kanë pësuar një aksident trafiku, derisa ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor. Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Për detaje të mëtejshme lidhur me gjendjen e tyre, rekomandojmë të kontaktohen institucionet shëndetësore përkatëse”.

“Pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, i cili u mbajt më 12 tetor në të gjithë vendin. Në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Aksident i rëndë në Ferizaj, pesë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor të lënduar – njëri në gjendje kome