KQZ miraton çregjistrimin e “Lëvizjes për Bashkim” dhe pranon 566 kërkesa për ndërrim të qendrës së votimit

14:23 | 10 Korrik 2025
E.K

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e 44-të me radhë për këtë vit, nën drejtimin e kryesuesit Kreshnik Radoniqi.

Në fokus të diskutimeve ishte ecuria e përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Në fillim të mbledhjes, KQZ mori vendim për çregjistrimin e partisë politike “Lëvizja për Bashkim”, e cila ka dorëzuar dokumentacionin për pushimin e të gjitha aktiviteteve politike pranë Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).

Në vijim të mbledhjes, anëtarët e KQZ-së u informuan për ecurinë e zbatimit të planit të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve. Sipas raportit të Zyrës për Zgjedhje, periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës ka nisur më 28 qershor dhe do të zgjasë deri më 9 korrik.

Deri tani, janë pranuar 633 kërkesa, nga të cilat 566 janë aprovuar, ndërsa 66 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së fotografisë me dokumentin identifikues.

“Sipas raportit informues, është duke u zhvilluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës dhe që nga fillimi i saj më 28 qershor dhe deri më 9 korrik 2025, janë pranuar 633 kërkesa, prej të cilave 566 janë aprovuar, ndërkaq 66 të tjera janë refuzuar për shkak se nuk kanë bashkangjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues”, thuhet në njoftim./Arbresh.info