Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se këtë javë pritet të nis numërimi i votave me kusht, votave nga diaspora dhe votave të personave me nevoja të veçanta
Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi për Arbrsh.info ka thënë se numërimi i këtyre votave do të nis gjatë javës së ardhshme.
“Pas përfundimit të të gjitha procedurave, siç janë: skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht; vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe sigurisht se mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen me kohë”, ka thënë Elezi.
Ai ka theksuar se të shtunën, në QNR ka filluar skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve.
“Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Lidhur me vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, Elezi theksoi se aktualisht, KQZ është duke bërë vlerësimin e këtyre pakove, respektivisht nga votimi përmes postës.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 22 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 60,997 pako, prej të cilave janë aprovuar 56,947 ndërkaq janë refuzuar 4,050. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj”, tha Elezi.
Ai bëri të ditur se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 7,718 pako me fletëvotime.
“Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara. Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike. Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime”, ka thënë Elezi.
I pyetur rreth numrit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, zëdhënësi i KQZ-së u shpreh se numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta.
“Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota”, tha ai./Arbresh.info/
Ancelotti e merr fitoren e parë në krye të Brazilit dhe kual...
LDK sot organizon mbledhje komemorative për Bujar Bukoshin
Tre të rinj vdiqën brenda pak ditësh, sot ditë zie në Viti
Rasti “Banjska”, sot mbahet seanca e radhës
Himni i Kosovës sot mbush 17 vjet
Tregu energjetik, sot protestohet në Prishtinë