Kosova është përfshirë zyrtarisht në Nismën për Anëtarët Kandidatë për Zgjerim (ECMI) të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropiane (EESC), një hap historik që shënon avancim të rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Kjo nismë, e formalizuar në vitin 2023, deri më tani nuk përfshinte Kosovën për shkak të mungesës së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njofton Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Tani, përfshirja e Kosovës në ECMI, siç thuhet në një njoftim për medie, është bërë e mundur falë angazhimit të vazhdueshëm të KCSF-së, përmes Rrjetit Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN) dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët rajonalë. Kjo nismë ka marrë gjithashtu përkrahjen e presidentit të EESC-së, Oliver Röpke.
Nëpërmjet këtij rrjeti, KCSF ka udhëhequr një fushatë avokuese rajonale, e mbështetur nga 104 organizata të shoqërisë civile nga e gjithë Ballkani, me qëllim përfshirjen e Kosovës në këtë iniciativë të rëndësishme europiane, thuhet në njoftim.
“KCSF e cilëson këtë zhvillim si rezultat të përpjekjeve të gjata të shoqërisë civile të Kosovës dhe rajonit, duke dëshmuar se zëri i shoqërisë civile, solidariteti dhe bashkëpunimi rajonal mund të sjellin ndryshime konkrete. Përmes kësaj përfshirjeje, shoqëria civile e Kosovës do të ketë mundësi të kontribuojë drejtpërdrejt në debatet dhe politikat që formësojnë të ardhmen evropiane, krahas 27 vendeve anëtare të BE-së”.
Çfarë janë EESC dhe ECMI?
Komiteti Ekonomik dhe Social Europian (EESC) është një trupë këshilluese e Bashkimit Europian, e themeluar në vitin 1957, që përfaqëson zërin e shoqërisë civile dhe partnerëve socialë në politikëbërjen evropiane.
Përmes opinioneve të tij, EESC këshillon institucionet e BE-së dhe nxit dialog të strukturuar me qytetarët e Evropës. Me seli në Bruksel, EESC numëron 329 anëtarë nga 27 vendet anëtare të BE-së.
Në shtator 2023, EESC lansoi Nismën për Anëtarët Kandidatë për Zgjerim (ECMI), që synon të përfshijë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve social nga vendet kandidate të BE-së në punën këshillimore të Komitetit.
Përmes ECMI, EESC synon përgatitjen dhe integrimin e shteteve kandidate në strukturat e BE-së para anëtarësimit formal, duke i bërë pjesë të diskutimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në politikat evropiane.
Rëndësia e përfshirjes së Kosovës në ECMI
Kosova fillimisht ishte lënë jashtë ECMI-së për shkak të kritereve formale të statusit kandidat.
Në prill 2024, KCSF nisi një reagim zyrtar ndaj Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, duke argumentuar se mospërfshirja e Kosovës ishte e padrejtë, pasi vendi gëzon perspektivë të qartë evropiane dhe përfshirja e tij në ECMI është thelbësore për barazi dhe përfaqësim rajonal.
Në këtë kuadër, më 24 maj 2024, përfaqësues të KCSF-së, së bashku me organizata të tjera të shoqërisë civile dhe sindikata nga Kosova, zhvilluan takim me udhëheqësit e EESC-së, ku shprehën shqetësimin për përjashtimin e Kosovës dhe kërkuan rishikimin e vendimit.
Kërkesa e njëjtë u përsërit edhe në Konferencën e Nivelit të Lartë për Shoqërinë Civile, të organizuar nga EESC më 24 tetor 2024 në Bruksel.
Në nëntor 2024, Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN), anëtare e të cilit është KCSF, dorëzoi një letër zyrtare të nënshkruar nga mbi 100 organizata të shoqërisë civile nga Ballkani, drejtuar EESC-së, duke kërkuar përfshirjen e Kosovës në ECMI.
KCSF thekson se përfshirja e Kosovës në ECMI është një arritje e rëndësishme për bashkëpunimin rajonal, si dhe një hap i madh drejt integrimit evropian.
Ky zhvillim përfaqëson fitore për barazinë dhe përfaqësimin e Kosovës në proceset e BE-së, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim, përfaqësim dhe ndikim të shoqërisë civile kosovare në agjendën evropiane./rtk
Rubio kritikon BE-në për gjobën ndaj platformës X
FFK-ja reagon pas shortit të Botërorit
Kurti: Kosova histori suksesi në Indeksin Global mbi Krimin ...
Rritet numri i aplikuesve nga diaspora për votim në zgjedhj...
Nesër afati i fundit për të ndërruar qendrën e votimit
Fundjavë me vranësira dhe riga shiu në vend