Lëvizja për Bashkim ka reaguar lidhur me nismën e PSD-së, Nismës Socialdemokrate dhe Alternativës për rezolutën për bisedimet Kosovë-Serbi.
Në reagimin për media LB, ka theksuar se me shqetësim konstaton se në dokumentin që është bërë publik mungon qasja e këtyre subjekteve ndaj problemit kryesor me të cilin ballafaqohet Kosova.
Reagimi i plotë:
Kuvendi i Kosovës pritet që ta shqyrtojë projekt-rezolutën e propozuar nga PSD, Nisma Socialdemokrate dhe Alternativa mbi dialogun me Serbinë. Si produkt i kësaj rezolute do të krijohet edhe ekipi negociator e më vonë do të përpilohet edhe platforma për bisedime si dhe ligji mbi dialogun.
Lëvizja për Bashkim me shqetësim konstaton se në dokumentin që është bërë publik mungon qasja e këtyre subjekteve ndaj problemit kryesor me të cilin ballafaqohet Kosova. Motivi kryesor për zhvillimin e bisedimeve me Serbinë duhet të jetë funksionalizimi i shtetit të Kosovës përmes forcimit të sovranitetit të saj. Ky sovranitet nuk mund të forcohet pa çlirimin e Kosovës nga gjendja e të qenurit peng nga pakica serbe, e cila e ka këtë fuqi në saje të privilegjeve të tyre kushtetuese, të cilat shprehen përmes të drejtës së vetos në çdo nismë për ndryshime kushtetuese apo të ligjeve që i përkasin 8 fushave në kuadër të legjislacionit me interes vital. Ky qëllim nuk mund të arrihet kurrsesi përmes qasjes së kësaj rezolute, pra të ngurtë e kufizuese në mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve reale për problemet reale të vendit.
Përveç kësaj, është shqetësuese që në momentin kur për herë të parë është hapur çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe mundësia që përmes këtyre bisedimeve të trajtohet edhe pozita e tyre dhe mundësia e bashkëngjitjes së tyre me Kosovën, Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute, përpiqet të mbyllë çfarëdo mundësie të tillë, duke i bërë dëm të pallogaritshëm si Kosovës ashtu edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore.
Duke pasur parasysh divergjencat e mëdha midis subjekteve politike sa i përket mënyrës së zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura, kjo platformë nuk do të duhej të vendoste kufizime por duhej të vendoste parime për zgjidhje. E në mesin e tyre, ai që do të duhej të ishte i patejkalueshëm për çdo subjekt politik, është parimi i reciprocitetit të plotë me Serbinë. Çdo qasje tjetër, do të ishte rrugëtim drejtë një “zgjidhjeje” e cila e konservon jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe e ruan të cunguar sovranitetin e saj. /arbresh.info/
Tragjedia në kantonin e Fribourgut: Të gjitha viktimat e zja...
Kushtetuesja e Maqedonisë V. refuzon përdorimin e shqipes në...
Parashikimi i motit për të enjten
Parlamenti Europian miraton raportin pro-zgjerimit të BE, Sh...
Valverde: Nuk e kam përjetuar këtë ndjenjë që një kohë të gj...
Operacionet në Iran do të ulin çmimet e naftës, thotë Trump