Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria për shkak të sëmundjes së murtajës

16:46 | 11 Qershor 2025
E.K

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar ndalimin e menjëhershëm të importit të deleve dhe dhive nga i gjithë territori i Shqipërisë, për shkak të përhapjes së sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta në disa rajone të këtij vendi.

Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas një rivlerësimi të situatës epidemiologjike, ku janë evidentuar raste të reja të infeksionit në zona të ndryshme, çka ka shtyrë autoritetet kosovare të zgjerojnë masat parandaluese për të mbrojtur blegtorinë vendore.

‘Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndryshon masën ndalese se pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël Dele dhe Dhi. Nga sot masa e ndalese vlen për gjithë territorin e Shqipërisë. Pas rivlerësimit të situatës, lajmërimeve për konfirmime të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) edhe në regjione tjera, AUV ngrit masën kufizuese për tërë territorin e Shqipërisë, me qellim të parandalimit të përhapjes. Duke parë rrjedhën e situatës përveç masës kufizuese në import. Komunat e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të tyre për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje bagëtitë e tyre dhe të pengojnë çfarëdo kontakti të kopeve të tyre me kopetë e fermerëve nga vendi fqinjë”, thuhet në njoftim.

Përveç ndalimit të importit, komunat e Kosovës që shtrihen në brezin kufitar me Shqipërinë janë udhëzuar që, përmes drejtorive të tyre komunale për bujqësi, të ndërmarrin masa strikte për kufizimin e lëvizjes së bagëtive të imta në kullosat e përbashkëta.

“Autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës. AUV, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, do të ndjekë nga afër situatën dhe do të ndërmarrë të gjitha masat preventive të nevojshme. Gjithashtu, do të informojë rregullisht fermerët dhe publikun për zhvillimet e mëtejshme. Në ketë fazë, fermerët mbajtës të deleve dhe dhive duhet të pengojnë çfarëdo kontakti të bagëtive të tyre me fermat nga Shqipëria ne kullosat e brezit kufitar”, thuhet tutje në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme