Me 1 janar 2025, Kosova, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka marrë kryesimin e radhës 1 vjeçar të Fondit të Ballkanit Perëndimor (WBF) nga kryesuesja paraprake që ishte Bosnjë dhe Hercegovina.
Në këtë kontekst, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton se nga 11 deri më 13 qershor 2025, në Prishtinë, do të mbahet “Regional Networking and Dialogue Session”, një aktivitet rajonal i organizuar nga Fondi për Ballkanin Perëndimor (WBF), transmeton Arbresh.info.
MPJD njofton se ky aktivitet është pjesë e veprimit të përbashkët të WBF me Bashkimin Evropian (BE) dhe synon që të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe dialogun ndërmjet Organizatave të Shoqërisë Civile dhe akterëve të tjerë në Ballkanin Perëndimor.
Në kuadër të pritjes së mirëseardhjes për nder të fillimit të këtij aktiviteti të WBF në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës para të pranishmëve ka shënuar kryesimin 1 vjeçar me WBF.
Drejtori i Departamentit për Evropë, BE dhe Rajon në kuadër të MPJD, z. Mentor Tahiri, me një fjalë rasti ju uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve në Prishtinë dhe po ashtu i falënderoi për pjesëmarrjen.
Në fjalën e tij, Tahiri nënvizoi se Kosova është e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal në funksion të integrimit evropian dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
“Për Kosovën, vlerat, parimet dhe standardet evropiane duhet të jenë udhërrëfyes në ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm e të suksesshëm rajonal,” tha ndër të tjera Tahiri.
Tahiri tha se WBF është njëra nga iniciativat rajonale që ka dëshmuar se në kushtet e përshtatshme dhe bashkëpunimit parimor mund të arrihen rezultate konkrete. Kosova është e përkushtuar që gjatë kryesimit të saj 1 vjeçar të ndihmojë WBF në forcimin e qëndrueshmërisë së saj institucionale dhe po ashtu në zgjerimin e rrjetit dhe qasjes te akterët relevant. Ai nënvizoi edhe rëndësinë e qasjes së barabartë të akterëve nga Shoqëria Civile në mundësitë që ofron WBF, dhe shprehu kënaqësinë që deri tani ka pasur më shumë se 100 përfitues nga Kosova në formë të aplikuesve udhëheqës ose partner në projekte të ndryshme.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Tahiri uroi punë të suksesshme gjatë këtij aktiviteti 3 ditor në Prishtinë dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre./Arbresh.info
Pas dy vitesh luftë ndizet sërish Pema e Krishtlindjes në Be...
Këndohet kënga e Shpat Kasapit, bëhet viral reagimi i banori...
Londrimi këshillon Labin për lojë: Mos i beso askujt këtu
Zhegrova është 100 përqind i gatshëm, pritet të ketë më shum...
Polonia i jep fund prodhimit të veshjeve prej gëzofi
“Shqipëria është në një nivel tjetër”, Rama për buxhetin 202...