Kosova me mungesë të inspektorëve të ambientit

14:09 | 4 Prill 2015
M. A.

Në Kosovë janë të angazhuar vetëm 15 inspektorë në nivelin qendror, të cilët merren me shqiptimin e dënimeve për të gjithë ata qytetarë të cilët individualisht ndotin ambientin përreth.

Gjatë vitit të kaluar në të gjithë Kosovën janë shqiptuar vetëm 25 gjoba mandatore për ata persona të cilët hedhin mbeturina në rrugë apo edhe krijojnë deponi ilegale.
Këto gjoba janë të parapara sipas udhëzimeve administrative dhe për shqiptimin e tyre merret inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, të cilët kanë për detyrë të bëjnë inspektimin e kompanive regjionale që merren me menaxhimin e deponive regjionale dhe gjithashtu me të gjithë ata operator të cilët me veprimtarinë e tyre e ndotin ambientin.

Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi, thotë se është e pamundur që inspektorët e nivelit qendror të cilët janë vetëm 15, të merren me shqiptimin e dënimeve për të gjithë ata qytetarë të cilët individualisht ndotin ambientin përreth.

Sipas tij, ata kanë një numër të kufizuar të inspektorëve dhe nuk mund të merren me të gjitha problemet që ka Kosova në aspektin e ambientit.
“Ne me numër të kufizuar të inspektorëve, gjithsej 15 dhe gjithashtu merremi edhe me çështje të ndotjes së ujërave, me çështje e mjedisit, me çështjet e ndërtimit, planifikimit dhe të natyrës, është e pamundur për t’u marrë ekskluzivisht inspektorat e nivelit qendror me çështjet e udhëzimit administrativ për hedhjen e mbeturinave në rrugë që parashihet nga 5 euro e deri në maksimumi i dënimit 100 euro, ku parashihen derdhja e vajrave dhe ndezja e zjarreve me goma të ndryshme në vendet të ndryshme publike, me ç’rast bëjnë ndotjen të ambientit.”, tha Halimi.

Ai thotë se përgjegjësi të madhe në këtë drejtim kanë edhe komunat, të cilat janë të obliguara me ligj që të merren me implementimin e këtij udhëzimi administrativ.
“Ne më herët kemi pasur një bashkëpunim më të theksuar me disa komuna, madje kemi pasur edhe raporte për shembull, Hani i Elezit dhe disa komuna të tjera, por kohëve të fundit një gjë e tillë nuk është bërë në dërgimin e informacioneve dhe ne nuk mundemi të predikojmë që komunat e ndryshme nuk e kanë zbatuar këtë udhëzim administrativ, por ne nuk kemi asnjë informacion për ndonjë komunë se e ka zbatuar në këtë masë apo e ka shqiptuar kaç gjoba mandatore gjatë vitit të kaluar”, tha ai.

Kurse, në Komunën e Prishtinës thonë se ata janë duke punuar shumë në këtë drejtim. Zëdhënësja e Komunës, Miranda Mullafazliu, ka thënë se pastrimi i deponive ilegale në pjesët urbane ka filluar qysh në fillim të muajit mars dhe deri më tash janë identifikuar mbi 100 deponi ilegale, të cilat janë të parapara të pastrohen dhe të shndërrohen në fusha të gjelbra.

Ndërsa, sa i përket mirëmbajtës së qytetit, ajo thotë se ata e pastrojnë qytetin çdo ditë, por lusin qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm që të mos e ndotin ambientin.
“Ekipet tona, kompanitë që janë të kontraktuar për mirëmbajtjen e qytetit së bashku me kompanitë që janë të kontraktuara për mirëmbajtjen e qytetit, së bashku me kompaninë komunale Holtikultura, vazhdimisht janë në terren dhe po bëjmë pastrimin e rrugëve të kryeqytetit, por gjithsesi duhet të kemi edhe një vetëdijesim të qytetarëve që të kemi pak më tepër kujdes dhe mbeturinat të hedhen nëpër shporta dhe vende të caktuara ku hedhen mbeturina”, tha Mullafalizu.
Për të parandaluar hedhjen e pakontrolluar të mbeturinave, Komuna e Prishtinës ka aktivizuar tre numra pa pagesë, në të cilën qytetarët mund të thërrasin 24 orë në ditë për të lajmëruar për çfarëdo parregullsie apo ndonjë ankesë që kanë e cila pastaj do të procedohet nga qendra e thirrjes për në drejtorinë e inspeksionit apo në drejtoritë e tjera./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale