Kosova me mbi 4 mijë mjekë, të pa punë janë 320

09:27 | 4 Maj 2021

Kosova i ka mbi 4 mijë mjekë të licencuar, derisa të papunë janë 320 prej tyre. Mosha mesatare e mjekëve familjarë në vend është 57 vjeç, ndërkohë që e atyre specialistë 53 vjeç.

Nga Oda e Mjekëve thonë se ndonëse ka mjekë të papunë, në klinika të caktuara ka mungesë të theksuar të tyre, e kjo është e shprehur më shumë në spitalet rajonale.

Në Kosovë janë gjithsej 4 mijë e 573 mjekë të licencuar. Mosha mesatare e mjekëve familjarë ka arritur në 57 vjeç, derisa mjekëve specialistë, në rreth 53 vjeç. Këto të dhëna i ka paraqitur Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Ndërkohë pensionimi i mjekëve, krahas dukurisë së ikjes së shtuar të mjekëve nga brezi i ri, ka bërë që të ndihet mungesa e stafit shëndetësor.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve, tha se megjithëse ka mungesë të theksuar të mjekëve në klinika të caktuara, ka edhe mjekë të papunë, ku numri i tyre është rreth 320.

‘’Mungesa e kuadrit specialistik është e shprehur në spitalet rajonale dhe jo në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por ka spitale, siç është ai i Gjakovës ku Klinika e Oftalmologjisë rrezikon të mbyllet në mungesë të mjekëve. Pastaj është Otorinolaringologjia ose ORL- ja në dy spitale të tjera rajonale, që po ashtu janë para pensionimit mjekët dhe nuk ka kuadro të reja. Gjithashtu spitali i Pejës me lëmin e ortopedisë nuk qëndron mirë. Pra, ka zbrazëtira që rrezikon mbylljen e klinikave në mungesë stafi’’, tha Sejdiu.

Ndërkohë në Odën e Mjekëve të Kosovës, gjatë vitit 2019, thuhet se 115 mjekë kanë kërkuar dokumente për punësim jashtë Kosovës, derisa viti i kaluar ka qenë më ndryshe për shkak të situatës epidemiologjike me COVID-19 në gjithë botën.

Numri më i madh i mjekëve bazuar në Odën e Mjekëve, kanë qenë mjekë të rinj, të cilët nuk kanë mundur të punësohen në Kosovë në profesionin e tyre, dhe kanë kërkuar punë jashtë vendit, ndonëse sistemi shëndetësorë ka mungesë të vazhdueshme të mjekëve.

Në anën tjetër, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, tashmë ka bërë të ditur se duke e parë trendin e pensionimit, por edhe duke u bazuar në moshën mesatare të mjekëve, Kosova në pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshme, do ta përjetojë një krizë ‘të paparë’ profesionale.

Kjo për shkak se siç thotë ai mosha mesatare e mjekëve familjarë ka arritur në 57 vjeç, ndërkohë që mosha e pensionimit është 65 vjeç.

Ndërkohë që një mjeku specialist i duhen më shumë se 10 vjet të jetë gati për të ofruar shërbime shëndetësore./radiokosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara