Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Nju Jork ka takuar kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah, të cilin e ka falënderuar për kontributin e shtetit të tij për Kosovën.
Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve u vlerësuan të mira, teksa Presidentja Osmani i kërkoi kryeministrit të Kuvajtit përkrahje që ky vend të vazhdojë mbështetjen e Kosovës për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e kryeministrit Al-Hamad Al-Sabah në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe të ushtrojë ndikim pozitiv në vendet e Organizatës Islamike, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë, duke qenë se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon.
Më tej, Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve me Kuvajtin. Në këtë kontekst, ajo përmend praninë e ushtarëve të FSK-së në misionin paqeruajtës në Kuvajt, të cilët ndodhen në këtë shtet në kuadër të angazhimit të përbashkët me ushtarët amerikanë nga Garda e Iowas, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Al-Hamad Al-Sabah u pajtuan për ta finalizuar nënshkrimin e disa marrëveshjeve, përfshirë edhe atë mbi “Statusin e Anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë Stacionit të tyre të përkohshëm në Shtetin e Kuvajtit”. Presidentja ka theksuar se Kosova synon ta finalizojë edhe një marrëveshje për mbrojtjen e ndërsjellë dhe promovimin e investimeve të huaja.
Ndërkaq, sa i përket aktualitetit në Kosovë, Presidentja Osmani ka theksuar se pala kosovare synon vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë”, tha presidentja Osmani.
Kryeministri Al-Hamad Al-Sabah, ndërkaq, e ka përgëzuar Kosovën për arritjet dhe ka shfaqur gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë mes dy vendeve, si dhe realizimin e projekteve të rëndësishme, të cilat do t’i shërbenin popullit të Kosovës.
Të dy palët u pajtuan për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve diplomatike, si dhe mirëpritën idenë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Kuvajt dhe atë të Kuvajtit në Kosovë./arbresh.info/
Zulfaj: I kemi votat për president, vetëm duhet pjesëmarrja ...
Ushtria amerikane pretendon se ka devijuar 27 anije nga bllo...
Rreziku nga lëndët plasëse,Komisioni për Siguri shqyrton pro...
Rama ndan video nga takimi me Presidentin e Emirateve të Bas...
Real Madridi e fiton UEFA Youth League
Pas fitores së madhe, Selin ndez rrjetin me një foto me DJ G...