Konsumatorët që kanë borxhe mbi 100 euro do të çkyqen nga rrjeti i ujësjellësit

18:04 | 1 Shkurt 2020
Arditë Shkodra

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka filluar aksionin për shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj nga rrjeti. Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, tha për Radio Kosovën se të gjithë konsumatorët që kanë borxhe mbi 100 euro, do të shkyçen.

Ajo tha se borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve për ujë dhe kanalizim është mbi 46 milionë euro.

Borxhet e papaguara të qytetarëve ndaj Ujësjellësit rajonal “Prishtina”, e ka detyruar këta të fundit të bëjë shkyçjen e konsumatorëve që kanë borxh në vlerë mbi 100 euro. Kështu tha për Radio Kosovën zëdhënësja e Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

“Me shkyçje do të përballet secili konsumator që ka borxh mbi 100 euro ndaj shërbimeve të ujit. Borxhi total i shërbimeve për ujë dhe kanalizim është për rreth 40 milionë deri 46 milionë euro”, tha Mjeku.

Mjeku thotë se edhe pse kemi rënie të nivelit të ujit në liqenet akumuluese, “KRU Prishtina” po mundohet që konsumatoret e saj t’i mbajë të furnizuar me ujë, dhe të mos aplikojë reduktime.

“KRU Prishtina” pavarësisht rënies së nivelit të ujit në liqenet akumuluese Batllava dhe Badoci prej mbi 10 metra nga kuota maksimale e kapërderdhjes, po mundohet të mos e dëmtojë konsumatorin dhe do të tentojë maksimalisht që të mos aplikojë reduktime deri në momentin ku do të jetë i  mundur një furnizim me ujë pa reduktime”, tha ajo.

Ndryshe menaxhimi i sistemit të ujësjellësit rajonal “Prishtina” për të pasur ujë të mjaftueshëm dhe të pastër kushton. Prandaj ftohen të gjithë konsumatoret  që t’i shlyejnë borxhet, sepse e kanë obligim ligjor që të paguajnë faturat si dhe borxhin e akumuluar.

Shpërndaje në rrjete sociale