Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar sot homologun e tij sllovak, Miroslav Lajçak.
Konjufca thotë se i ka kërkuar që pesë vendet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Sllovakinë, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta njohin.
“Sot kam zhvilluar një takim bilateral me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Takimi është zhvilluar në Pragë para Konferencës së vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor. Ndër tjera e kam falënderuar ministrin Lajçak për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për qëndrimin mbështetës rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Konjufca thotë se Sllovakia e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.
“Gjithashtu kam theksuar se është me rëndësi që pesë vendet e Bashkimit Evropian përfshirë Sllovakinë, të lëvizin drejt njohjes së Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm i Sllovakisë Lajçak ka theksuar se përkundër faktit që Sllovakia nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, Qeveria e Sllovakisë e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave”, ka shkruar Konjufca.
Konjufca me këtë rast ka thënë se Kosova është e gatshme për dialogun me Serbinë.
“Unë e kam theksuar në këtë takim se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i shmanget dialogut dhe është e gatshme për këtë. Në të njëjtën kohë unë kam bërë të ditur se Serbia e ka keqpërdorur dialogun në lobimin për çnjohjen e Republikës së Kosovës duke e paraqitur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve si dialog për statusin e Kosovës dhe kjo nuk duhet të lejohet më”, ka thënë Konjufca.
“Në fund të takimit i kam dorëzuar ministrit Lajçak një listë me rastet konkrete ku Serbia aplikon njëanshëm barriera jotarifore”.
Në pritje të rritjes së çmimit të naftës nga bordi, qeveria ...
Aktakuzë për ndaj tre personave për shitblerjen e 4.4 kg kok...
“Hup”, “laper“, përplasje mes Besian Mustafës e Egzon Azemit...
Kuvendi shkon në pauzë
Ushtarët letonë të KFOR-it patrullojnë përgjatë kufirit Koso...
Trump: Ne mund ta hapim lehtësisht Ngushticën e Hormuzit, të...