Konjufca takohet me kryeministrin kroat: E falënderon për ndihmën e dhënë në aksidentit tragjik në Slavonski Brod

13:42 | 15 Nëntor 2021
F.T

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, ka pritur sot në takim kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet bilaterale, liberalizimin e vizave, integrimin evropian, shkëmbimet ekonomike, zhvillimet politike në rajon dhe tema të tjera me interes të përbashkët, transmeton arbresh.info.

Gjatë takimit, i cili u karakterizua nga një frymë shumë miqësore dhe e pajtimit të plotë rreth interesave reciproke të bashkëpunimit, kryetari Glauk Konjufca vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe falënderoi kryeministrin Plenković për përkrahjen që shteti kroat i ka dhënë ndër vite Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit. Kryetari Konjufca po ashtu i shprehu mirënjohje të veçantë kryeministrit kroat për kujdesin dhe ndihmën e ofruar me rastin e aksidentit tragjik të autobusit me bashkatdhetarët tanë në Slavonski Brod.


Duke e konsideruar Kroacinë si partner strategjik të vendit tonë, i pari i Kuvendit ritheksoi se fati i popujve të rajonit tonë është i përbashkët dhe se të tilla duhet të jenë edhe qëllimet, prandaj shteti ynë është i përkushtuar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kryetari Konjufca nënvizoi se orientim afatgjatë i Republikës së Kosovës mbetet perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në NATO e organizata tjera ndërkombëtare.

Kryeministri kroat, Andrej Plenković konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Kroacisë në rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës, si dhe përkrahjen për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e shtetit tonë në organizata ndërkombëtare.​

Kujtojmë, se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Me nderime të larta shtetërore, në ceremoninë e organizuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Në vizitën e tij të parë në Kosovë, Kryeministrit të Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, iu urua mirëseardhje në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” nga kryeministri Kurti.

Në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave, anëtarëve të kabineteve e përfaqësuesve të tjerë institucionalë, u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy popujve dhe dy republikave.

U bisedua për mundësitë e potencialin që kanë dy qeveritë për bashkëpunim bilateral, që do të sigurojë ringjallje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë COVID-19, duke përfshirë ngritjen e investimeve si dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare.

U diskutuan hapa konkret drejt avancimit të zbatimit të dymbëdhjetë marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve, për arsimin, shkencën, kulturën dhe ekonominë, si dhe shtatë marrëveshje të tjera, që pritet të finalizohen së shpejti.

Kryeministri i Republikës së Kosovës i ndau Mirënjohje Kryeministrit të Republikës së Kroacisë, për miqësinë, marrëdhëniet e shkëlqyeshme dhe mbështetjen historike të Republikës së Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit. /arbresh.info

Lexo edhe:

Kurti me ceremoni shtetërore pret homologun kroat

 

Shpërndaje në rrjete sociale