Konjufca: Me këtë qasje të Serbisë, Kosova s’i ka asnjë borxh

13:39 | 14 Prill 2023
Emir Abduramani

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë sot ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit ka treguar se Kosova ka vullnet të mirë për zbatimin e saj, por jo të njëjtën për Serbinë.

Para gazetarëve, Konjufca tha se sipas shtetit serb, marrëveshja e ka vetëm kapitullin e Asociacionit, teksa përmendi nenin 2, për formim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

I pari i Kuvendit theksoi se me qasjen destruktive dhe deklaratat e Serbisë, Kosova nuk ka asnjë borxh dhe ajo do e vazhdojë rrugën.

Pra sipas tij, i gjithë procesi varet nga Serbia.

“Neni 2 thotë të themelohen marrëdhëniet sovrane mes shteteve, por ku është ajo? A po ndodhë? Përkundrazi, Vuçiqi del e thotë se nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, do e luftojmë atë, nuk do të marrim pjesë në zgjedhje e kështu me radhë. Kjo është gjuha e tij, e me këtë gjuhë Kosova nuk ka kurrfarë borxhesh për besë, vazhdojmë në rrugën tonë, të mbajtjes së zgjedhjeve më 23 prill, sepse nuk ka zgjidhje tjetër apo rrugë tjetër Kosova. Krejt procesi varet prej Serbisë, ajo destruktive, okej, ne vazhdojmë rrugën tonë qysh kemi vazhdu deri tash”, deklaroi ai.

Tutje, kryeparlamentari tha se Kosova në shtetndërtimin e saj, gjithmonë është luftuar nga Serbia, dhe kjo sipas tij, do të vazhdojë.

Megjithatë, në lidhje me këtë çështje, ai shprehi gatishmërinë e Kosovës për t’u përballur me këtë “luftë”.

“Rruga e shtetndërtimit të Kosovës ka qenë në konfrontim të vazhdueshëm me Serbinë, gjitha arritjet që i kemi deri tash, me pavarësi, me njohje, me anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ka qenë si luftë me Serbinë, e kjo luftë do të vazhdojë, pse jo, ne jemi të gatshëm, ne jemi këtu dhe do të qëndrojmë dhe do të vazhdojmë”, përfundoi Konjufca./Arbresh.info/