Konjufca jep shpresë për çështjen e presidentit: Vullneti i Abdixhikut është shenjë e mirë

12:52 | 10 Prill 2026
E.G

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjfuca, tha se gatishmëria e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku për takime me Albin Kurtin, jep shpresa se çështja e presidentit mund të zgjidhet.

Konjufca ka deklaruar për RTV 21 se vullneti i shfaqur nga Abdixhiku është lajm i mirë meqë hapen perspektiva për mundësinë e zgjedhjes së presidentit.

“Siç e keni parë, ka ndodhur takimi tjetër i radhës mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Kryeministri Kurti i ka drejtuar letër edhe PDK-së. Do të specifikohet edhe më tutje nëse ky takim mund të ndodhë apo jo. Me z. Abdixhiku me sa e pash dhe përgjigja e tij ishte që ai është i vullnetit që takimet të vazhdojnë. Ky është një lajmi mirë sepse i jep do perspektiva për mundësinë e zgjedhjes së një presidenti. Gjithmonë do të shpresojmë se kemi kapacitet dhe mençuri që të shmangim disa zgjedhje që u mbajtën vetëm katër muaj më parë. Para katër muajve populli foli. Nuk është se ka ndodhur ndonjë ndryshim shumë i madh që populli të mos e ketë mendimin e njejtë në zgjedhje. Populli ndryshon mendimin vetëm kur ndodhin transformime të mëdha. “, ka deklaruar Glauk Konjufca.

Konjufca ka deklaruar se pa partitë opozitare s’mund të krijohet kuorumi prej 80 votave dhe ka shprehur optimizëm se diçka e tillë do të ndodhë.